Enver Plaku: Një jetë përkushtuar artit dhe kulturës durrsake

Date:

Share post:

Në historinë e teatrit dhe jetës kulturore të Durrësit, emri i Enver Plakut zë një vend të veçantë. I lindur më 12 shtator 1939 në Durrës, ai është një nga ata artistë që ka jetuar skenën në të gjitha dimensionet e saj: si aktor, si regjisor dhe si drejtues institucioni kulturor. Sot, në moshën 86-vjeçare, pasioni dhe dashuria e tij për artin mbeten po aq të gjalla sa në vitet e para të karrierës.

Rrugëtimi i tij artistik nisi pas përfundimit të shkollës së mesme ekonomike. Fillimisht regjistrohet në Fakultetin Ekonomik, por dëshira e zjarrtë për aktrimin e bën të ndërpresë studimet për t’u regjistruar në Institutin e Lartë të Arteve. Aty ka fatin të formohet pranë figurave të mëdha të teatrit shqiptar, si Pandi Stillu dhe Mihallaq Luarasi, dhe më pas të bashkëpunojë me emra të shquar si Pirro Mani. Përvoja e tij nuk i dha vetëm teknikë aktoriale, por edhe filozofinë e teatrit si art kolektiv, ku harmonizimi midis regjisorit dhe aktorit është çelësi i suksesit.

Si aktor, Enver Plaku ka interpretuar në skenë dhe kinematografi, duke përfshirë role të paharrueshme në shfaqje dhe filma shqiptarë si Vitet e paraOperacioni ZjarriGoditjaAsgjë nuk harrohetBalada e KurbinitZëvendësi i grave dhe Heronj të heshtur. Në Teatrin Kombëtar, ai interpretoi me intensitet tragjedinë e Shekspirit Romeo dhe Zhuljeta, duke treguar mjeshtëri të lartë artistike.

Në gjysmën e dytë të viteve ’60, Enver Plaku emërohet regjisor i Pallatit të Kulturës në Durrës, ku me trupën profesionale të qytetit vuri në skenë dhjetra shfaqje, mes tyre: Cuca e MaleveFamilja e PeshkataritI sëmuri pa mendPas heshtjesTelefon në mesnatëLindja e një burri dhe Tri ditët e qametit.

Si drejtor i Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu”, ai aktivizoi figura të njohura të skenës, si Serafin Fanko dhe Tinka Kurti, duke sjellë në Durrës produksione me vlerë të lartë artistike dhe me vizionin për të rikthyer publikun në teatër dhe për të ringjallur kohën e artë të skenës durrsake para viteve ’90. Edhe pse teatri dhe estrada profesioniste në qytet u përballën me sfida të shumta gjatë viteve të tranzicionit, Enver Plaku beson se me përkushtim dhe energji të reja, skena mund të ringrihet.

Për të, drejtimi i një institucioni kulturor nuk është thjesht administrim, por një mision që bashkon dashurinë për artin dhe vizionin profesional.

Ai e ka pasur dhe e ka jetën gjithmonë të lidhur ngushtësisht me qytetin e lindjes, ku ka studiuar dhe punuar pa u ndalur. Me bashkëshorten e tij, mjeken e njohur Natasha, e shikon Durrësin në ecje ritmike, të vrullshme dhe të qeta, probleme dhe arritje, duke u përfshirë në tema që prekin fatet e qytetit dhe vendit. Ai mbetet një qytetar i angazhuar dhe i apasionuar për kulturën dhe jetën publike.

Kontributi i tij ndër vite është vlerësuar me Urdhrin “Naim Frashëri” të klasit I, II dhe III, Urdhrin e Punës, dhe me medalje të shumta. Por përtej titujve, shpërblimi më i madh për të mbetet respekti i publikut.

Në fillim të viteve 2000, pas një karriere të gjatë dhe të pasur me suksese, Enver Plaku del në pension, duke mbetur një nga protagonistët e përhershëm të kulturës dhe teatrit durrsak. Mesazhi i tij për të rinjtë është i thjeshtë dhe i prerë: nëse e doni artin skenik si një thirrje të brendshme, mos harroni formulën e përjetshme të korifejve botërorë të teatrit: një talent dhe nëntë punë.

Figura elegante e Enver Plakut reflekton artistin që nuk e tregon moshën, sepse energjia e tij buron nga pasioni. Për sa kohë pasioni dhe vepra mbeten të gjalla, artisti nuk ka moshë.

Intervista e plotë me artistin Enver Plaku

1. Pas një jete të kaluar mes kinematografisë, skenës dhe regjisurës, çfarë ju mban ende të lidhur me teatrin dhe publikun?
Kënaqësia e të shikuarit të spektakleve, shfaqjeve të reja dhe të hershme, si dhe respekti që ndjej kur më takojnë qytetarët dhe më urojnë për arritjet e mia deri më sot. Ky kontakt i drejtpërdrejtë me publikun është gjithmonë burim frymëzimi dhe motivimi për të qëndruar i lidhur me skenën.

2. Si bashkëjetojnë brenda jush aktori dhe regjisori? A ka pasur momente kur njëri ka dominuar mbi tjetrin?
Bashkëpunimi dhe mirëkuptimi krijues midis regjisorit dhe aktorit është domosdoshmëri. Harmonia mes tyre sjell një fryt artistik të paimagjinueshëm. Kur nuhatet ndonjë tension apo “plasaritje” në ekzekutimin e aktorit, me shumë takt profesional dhe një ndjeshmëri të hollë, kam ditur ta drejtoj atë në rrjedhën e përshtatshme të shfaqjes ose në platformën regjisoriale që kam përcaktuar që në fillimet e punës. Ky parim vlen për të gjitha repartet e tjera të teatrit. Siç dihet, një shfaqje teatrore është art kolektiv. Regjisori është dirigjenti, frymëzuesi i një vepre skenike. Nëse kjo formulë nuk kuptohet, rezultati mund të jetë një prodhim pa drejtim, pa kokë.

3. Kur ktheheni pas në karrierën tuaj, cili ka qenë momenti, filmi apo shfaqja që ju ka formuar më shumë profesionalisht?
Formësimi im profesional ka nisur që në bankat e Institutit të Lartë të Arteve, por eksperienca në punë dhe bashkëpunimi krijues sjellin gjithmonë risi në bagazhin teknik dhe regjisorial. Një eksperiencë që ka pasur ndikim të madh ka qenë puna me premierat e pedagogëve të mi: Artisti i Popullit Pandi Stillu (udhëheqës artistik i Teatrit Kombëtar) dhe regjisori i mirënjohur Mihallaq Luarasi, të cilët vunë në skenë Stafeta e kuqe dhe Çështja e inxhinier Saimirit, ku më besuan mua rol protagonist, edhe pse unë isha ende regjisor në pallatin e kulturës “Aleksandër Moisiu”. Ata sillnin dy eksperienca të ndryshme shkolle jashtë Shqipërisë: rumune, ku kishte studiuar Pandi Stillu, dhe çeke, ku kishte studiuar Mihallaq Luarasi. Përveç suksesit të shfaqjeve para publikut, mora eksperiencën e punës së bashku me aktorët në tavolinë dhe në skenë, veçanërisht nga këta dy profesionistë të paharruar. Bashkëpunime të paharruara kam pasur edhe me regjisorin e talentuar të Teatrit Kombëtar, Pirro Mani, po dhe të tjerë.

4. Si e keni përjetuar drejtimin e Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu” dhe çfarë sfidash mbart drejtimi i një institucioni artistik?
Ndryshimi i sistemit politiko-social dhe tranzicioni sollën sfida të reja në të gjitha fushat e jetës: jo vetëm ekonomike, ushtarake dhe sociale, por edhe në arsim, sport dhe kulturë. Ekonomia e tregut, e panjohur më parë për sistemin tonë, ndikoi në mënyrë të thellë edhe në teatrin amator dhe profesionist.

Elementët themelorë për realizimin e një shfaqjeje, repertori, skena, aksesorët, duhej të vlerësoheshin edhe nga këndvështrimi i “tregut”, duke respektuar kostot dhe pritshmëritë e artdashësve. Sapo mora drejtimin e Qendrës Kulturore “A. Moisiu”, aktivizova krijues me vlera artistike të spikatura, si Mjeshtri i Madh Serafin Fanko dhe Nderi i Kombit Tinka Kurti, të cilët me përvojën e tyre shkëlqyen para publikut durrsak. Një drejtues i një qendre kulturore duhet të jetë jo vetëm artdashës, por edhe specialist e vizionar, një kombinim i domosdoshëm që shpesh mungon në qytetin tonë.

5. Si ka ndryshuar teatri dhe marrëdhënia e publikut me artin skenik në Durrës ndër vite?
Kjo ndryshon jo vetëm në sasinë, numrin e spektakleve, por edhe në cilësinë e tyre. Durrësi e ndjen këtë boshllëk të madh. Një pjesë e konsiderueshme e aktorëve ka ikur jashtë vendit e të tjerë kanë dalë në pension. Për krahasim, në vitin 1982, teatri i dramës kishte 28 aktorë (18 meshkuj dhe 10 femra), ndërsa sot kanë mbetur vetëm pak veta. Estrada profesioniste me traditë kombëtare është shkrirë si kripa në ujë. Teatri i kukullave ka po të njëjtin fat. Teatri “Aleksandër Moisiu”, me reputacion të lartë kombëtar, ndodhet në gjendje kome; nevojitet një “plugim i thellë” për ta zgjuar, për ta rivënë në punë dhe për ta rikthyer aty ku ishte më parë.

6. Cila është lidhja juaj me Durrësin? A ndiheni i vlerësuar për kontributin tuaj, përfshirë edhe atë në jetën artistike dhe kulturore të qytetit?
Që në gjenezë jam autokton durrsak. Kam lindur, jam rritur dhe jam arsimuar në Durrës, me përjashtim të viteve të studimeve në Tiranë. Për 50 vjet kam punuar në qytetin tim, deri në pension. Për merita të punës, kam marrë në vazhdimësi Urdhrin “Naim Frashëri” të klasit I, II dhe III, Urdhrin e Punës nga Kuvendi Popullor, si dhe tri medalje argjendi dhe shumë diploma dhe fletë lavdërimi. Por përtej titujve dhe dekoratave, shpërblimi më i madh mbetet respekti i publikut dhe dashuria e tij.

7. Çfarë mesazhi do t’i jepnit sot aktorëve dhe regjisorëve të rinj që po përpiqen të gjejnë vendin e tyre në skenë?
Nëse e dashuroni dhe adhuroni artin skenik si një burim frymëzimi dhe për jetën tuaj të suksesshme, mos harroni kurrë formulën epokale të korifejve botërorë të teatrit: një talent dhe nëntë punë. Puna dhe përkushtimi janë gjithmonë më të rëndësishme se vetëm talenti.

Vali Qyrfyçi

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Një mësues humb jetën në rrugën e shkollës dhe harresës

Ai nuk ishte ushtar, por ra në krye të detyrës. Nuk kishte armë, por një çantë me ditarin...

Para pa deklaruar dhe pajisje të dyshimta, në pranga 49-vjeçari në dalje të Portit

Një 49-vjeçar nga Durrësi është arrestuar në flagrancë në Pikën e Kontrollit Kufitar të Portit të Durrësit, pasi...

Ndërtime pa leje në Himarë, Prokuroria e Vlorës dërgon në gjyq 7 persona

Prokuroria e Vlorës përfundon hetimet dhe dërgon në gjyq për shpërdorim detyre 4 ish-zyrtarët e IMT-së Himarë dhe 3 shtetas për...

Përfundimisht 30 vite burg shqiptares që masakroi çiftin Tasho në Itali

41-vjeçarja shqiptare, Elona Kalesha është dënuar me 30 vite burg nga Gjykata e Kasacionit në Itali. Dënimi i...