Ai nuk ishte ushtar, por ra në krye të detyrës. Nuk kishte armë, por një çantë me ditarin që e shoqëroi deri në hapin e fundit. Alban Bejleri, 52 vjeç, mësuesi që punonte në shkollën e fshatit të thellë Marjan, u gjet i pajetë në rrugë, pasi kishte mbyllur derën e klasës për herë të fundit dhe po kthehej në shtëpi.
Për shumëkënd, 52 vjeç është mosha e pjekurisë, por për një mësues që duhet të sfidojë lartësitë e Maliqit, është një moshë ku zemra fillon e flet me gjuhën e lodhjes. Ritmi i tij i përditshëm nuk ishte thjesht punë; ishte një marshim kilometrik midis vendbanimit dhe vendit të punës, një luftë me kohën, motin dhe rrugët që nuk ngjajnë aspak me rrugë të shekullit XXI.
Tragjedia e mësuesit Alban Bejleri zhvesh një realitet ende të dhimbshëm. Mësuesit e zonave të thella janë heronjtë e fundit të një sistemi që shpesh i llogarit vetëm si numra në listëpagesa dhe nuk u siguron kushte.
Ai vdiq rrugës së kthimit. “Zemra e tij pushoi së rrahuri aty ku mbaronte asfalti dhe fillonte sakrifica”, thanë banorë të zonës.
Ngjarja nuk ishte thjesht një incident mjekësor që përfundoi keq. Është një “infarkt” social. Kur një mësues detyrohet të konsumojë çdo ditë rezervat e fundit të energjisë vetëm për të mbërritur në vendin e punës, vdekja nuk është aksident, por pasojë e një sistemi që nuk mbron mjetin e tij më të çmuar, njeriun.
A.Bejleri u kthye në shtëpi, por jo ashtu siç e prisnin. Ai la pas ditarin e hapur dhe një mësim të madh për të gjithë ne, që dija në Shqipëri, në shumë raste, paguhet ende me gjak dhe me jetë.
Lamtumirë Mësues! Rruga jote u ndërpre, por gjurma që ke lënë do të mbetet si një shenjë e heshtur dinjiteti njerëzor.
V. Q.


