Prindër në distancë, Si po ndryshon modeli i prindërimit

Date:

Share post:

Për shumë vite, në familjet shqiptare ishte zakonisht babai ai që largohej në emigrim, shpesh për periudha të gjata, ndonjëherë me vite të tëra. Fëmijët rriteshin me nënën dhe pritjen e përhershme: “Kur do vijë babi?” Ende shumë familje jetojnë këtë realitet.

Por vitet e fundit, fenomeni ka marrë një tjetër drejtim. Gjithnjë e më shpesh janë nënat ato që largohen, kryesisht për punë sezonale, dy herë në vit, nga tre muaj, në Itali, Gjermani, Zvicër apo Greqi. Një model i ri sakrifice, që po ndryshon ekuilibrat brenda familjes.

“Babin jemi mësuar ta kemi larg”, thotë Mario, 13 vjeç, nga Durrësi. “Por kur iku mami për herë të parë, shtëpia u bë bosh. Edhe pse ishte vetëm tre muaj, mu duk shumë. Nëna rri me ne, kur mami nuk është.”

Nëna e tij punon sezonalisht në bujqësi në jug të Italisë. Ajo kthehet në pranverë dhe në vjeshtë, ndërsa pjesën tjetër të vitit është në Shqipëri me familjen.
“E bëj që të mos iki përfundimisht”, thotë ajo. “Shkoj dy herë nga tre muaj dhe jam pjesën tjetër të vitit me fëmijët. Por çdo largim është i vështirë. Do të doja të punoja më gjatë, por lëvizja në zonën shengen na e kufizon qëndrimin më shumë.”

Ndërkohë, baballarët qëndrojnë në shtëpi dhe marrin një rol më të plotë në përditshmëri. 

Arbeni, 45 vjeç, kujdeset për dy fëmijët gjatë kohës që bashkëshortja është jashtë. “Kur isha unë emigrant, ishte ndryshe. Tani e kuptoj sa e vështirë është të jesh prindi që rri me fëmijët. Ata e ndjejnë shumë mungesën e nënës.”

Edhe vajzat adoleshente e përjetojnë ndryshe këtë realitet. “Me babin flas për gjithçka, por ka gjëra që ia them vetëm mamit”, thotë Elisa, 16 vjeçe. “Kur ajo është larg, i mbaj brenda.”

Modeli tradicional po ndryshon. Emigrimi nuk është më vetëm histori baballarësh që kthehen një herë në vit me valixhe plot. Sot është dhe histori nënash që ndajnë vitin mes dy vendeve, duke u përpjekur të balancojnë nevojën ekonomike me praninë në familje.

Por çdo largim, qoftë edhe tre muaj, lë gjurmë.

“Momenti më i vështirë është kur nisem”, thotë një nënë 39-vjeçare nga Gramshi. “Fëmijët nuk qajnë më si herën e parë. Tani më thonë ‘ik mami, bëj lekët dhe kthehu shpejt’. Dhe kjo më dhemb edhe më shumë.”

Sepse në fund, sakrifica mbetet e njëjtë, pavarësisht nëse është babai apo nëna që mban valixhen.

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Rezultuan me aflatoksinë, Kroacia bllokon ngarkesën me fiq të thatë nga Shqipëria

Kroacia ka bllokuar një ngarkesë me fiq të thatë të importuar nga Shqipëria. Sipas sistemit RASFF, analizat kanë treguar...

Ministrja Klodiana Spahiu reagon për Erjon Vishkullin: “Operacioni në Romë i shpëtoi syrin të riut të plagosur në protestë”

Ministrja Klodiana Spahiu e ka cilësuar ditën si një ditë lajmesh të mira, duke lidhur miratimin në qeveri...

Gjendet i pajetë shqiptari 31-vjeçar në Itali, trupi u zbulua në një pus 10 metra të thellë

Trupi i pajetë i 31-vjeçarit shqiptar Denaldo Maxhallaku është gjetur në fund të një pusi rreth 10 metra...

Erion Veliaj transferohet në burgun e Fierit, 2 ditë pasi mbështeti protestat studentore në Serbi

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është transferuar në paraburgimin e Fierit. Veliaj ndodhet në paraburgimin e Durrësit që...