Dy zonja, një mision: nënë e bijë që i dhanë jetë arsimit në Durrës

Date:

Share post:

Këtë 7-8 Mars, rrëfimi i dy mësueseve të njohura në Durrës sjell një histori të veçantë për dashurinë ndaj arsimit dhe fuqinë e gruas në edukim. Një trashëgimi që lidh dy breza mësuesesh, nënë e bijë, të cilat u përkushtuan për t’u mësuar brezave të tërë nxënësish jo vetëm dijen, por edhe vlerat e respektit dhe përgjegjësisë.

Sot, mësuese Krisanthi është në të tetëdhjetat e saj dhe kujton me mall vitet e gjata në mësuesi e drejtim, ndërsa vajza e saj Marisola, e njohur për mësimdhënien e letërsisë në Durrës, po dhe si drejtuese shkolle, sapo ka mbyllur kapitullin e saj të gjatë duke dalë në pension vetëm pak javë më parë. Dy rrugët e tyre, të ndara nga koha, por të lidhura nga një pasion i përbashkët, tregojnë fuqinë e një trashëgimie familjare në arsim.

Karriera e mësuese Krisanthi Kazanxhiut nisi në vitin 1961 në Shtëpinë e Pionierit, ku punoi si metodiste me nxënës të arsimit 8-vjeçar dhe të gjimnazit, duke i përgatitur për aktivitete dhe role drejtuese. Më pas, ajo iu përkushtua mësimdhënies së matematikës, lëndë që e kishte pasion që në vitet e gjimnazit. Për dekada, matematika dhe klasa u bënë pjesë e pandarë e jetës së saj.

Nxënësit e kujtojnë si një mësuese autoritare, por gjithmonë të drejtë. Përtej rigorozitetit të lëndës, ajo përpiqej t’u mësonte fëmijëve përgjegjësinë dhe respektin për dijen dhe njeriun. Një nga kujtimet më të bukura mbetet momenti kur, pas një mungese disi të gjatë, në klasë e priste një buqetë e madhe lulesh, një shenjë besimi dhe emocionuese nga nxënësit e saj.

Gjatë karrierës në arsim, mësuese Krisanthi ka qenë pjesë edhe e një eksperience të rëndësishme arsimore në shkollën “Kristaq Boshnjaku”, sot “Eftali Koçi”, ku u testua për herë të parë një metodë e re e mësimdhënies së matematikës. Projekti rezultoi i suksesshëm dhe për kontributin e saj ajo u vlerësua edhe me dekoratë.

Trashëgimia vazhdon

Vajza e saj, Marisola, ndoqi të njëjtën rrugë dhe u bë mësuese e letërsisë. Ajo e nisi profesionin në vitin 1985 dhe për shumë vite, 4 dekada, ka qenë pjesë e jetës së qindra nxënësve në Durrës, duke i udhëhequr në botën e librave, poezi, romane dhe duke i nxitur të mendojnë dhe të reflektojnë. Vetëm pak javë më parë, ajo ka dalë në pension, duke lënë pas breza të tërë nxënësish që e kujtojnë me respekt dhe mirënjohje.

Sot, të dyja e shikojnë arsimin aktual me një sy kritik. Profesioni i mësuesit/es është bërë më i vështirë, figura e tij/saj nuk gëzon më të njëjtin respekt dhe lidhja mes shkollës, prindërve dhe shoqërisë është dobësuar. Por pavarësisht sfidave të kohës, ato vazhdojnë të besojnë se përkushtimi dhe dashuria për nxënësit dhe këtë profesion misionar mbeten thelbësore.

Një mesazh i përhershëm

Në këtë 7 Mars, kujtimet e tyre janë të shumta. Klasa plot gjallëri, regjistra të mbushur me emra dhe fytyra nxënësish që sot janë shpërndarë në profesione të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit.

Dhe nëse do të kishte edhe një orë të fundit mësimi, mesazhi do të ishte i thjeshtë, por i fuqishëm:

“Bëhuni njerëz të mirë, sepse bota ka nevojë për mirësi.”

Intervista/ Nënë e bijë përballë njëra – tjetrës me të njëjtat pyetje

1. Si e kujtoni ditën e parë kur hytë në klasë si mësuese?
Mësuese Krisanthi: Fillimisht kam punuar në Shtëpinë e Pionierit si metodiste me fëmijë të arsimit 8-vjeçar dhe gjimnazit për t’i përgatitur si udhëheqës pionierësh. E theksoj këtë, sepse kur fillova të punoja me nxënësit në bankat e shkollës ishte një emocion i veçantë.

Mësuese Marisola: Me shumë emocione. Mendoja si do ta shpjegoja mësimin, sa e aftë do të isha. Sytë e nxënësve që më ndiqnin më krijonin një ndjesi pasigurie, sikur diçka mungonte, po njëkohësisht ndjeja edhe shumë kënaqësi që isha përballë tyre.

2. Çfarë ju shtyu të zgjidhnit këtë profesion?
Krisanthi: Që në gjimnaz e kisha pasion matematikën. Madje për këtë degë më përzgjodhën edhe pedagogët e universitetit.

Marisola: Në familjen tonë ka disa mësues dhe jemi rritur me respekt absolut për fjalën dhe figurën e mësuesit. Më pas profesioni më hyri në zemër dhe nuk u ndava dot prej tij.

3. Në vitet kur ju filluat të jepnit mësim, si ishte shkolla dhe nxënësit krahasuar me sot?
Krisanthi: Vlerësohej libri, leximi dhe të mësuarit, nga klasa deri në shtëpi. Kishte disiplinë. Mësuesi vlerësohej nga nxënësit, por sidomos nga prindërit. Ishte shumë e fortë lidhja prind-mësues-shoqëri dhe kjo është shumë e rëndësishme.

Marisola: Në ato vite kishte më shumë rregull, seriozitet dhe besim tek figura e mësuesit. Prindi ishte i gatshëm të dëgjonte dhe të kuptonte, gjithmonë në funksion të së mirës së fëmijës.

4. Cili është një moment që nuk do ta harroni kurrë?

Krisanthi: Duke qenë se kam dhënë matematikë, për hir të së vërtetës kam qenë autoritare. Kur u ktheva pas disa kohësh mungese në shkollë, nuk e prisja që në klasë të më priste një buqetë e madhe lulesh mbi tavolinë. Nxënësit më shihnin si në faj, sepse nuk e dinin si do të reagoja. Kur panë habinë dhe emocionet e mia, gjithçka ndryshoi.

Marisola: Janë shumë momentet kur nxënësit të falnin besim të plotë dhe përgjegjësia më e madhe ishte të mos i zhgënjeje.

5. A ka ndonjë nxënës që ju ka mbetur veçanërisht në mendje? 

Krisanthi: Po, ka shumë, por të përmend disa do të ishte e padrejtë për shumë të tjerë. Sot janë mjekë, gazetarë dhe profesionistë shumë të mirë.

Marisola: Shumë. Sot janë profesionistë të suksesshëm në fusha të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit. Mes tyre dhe mësuese. Ka edhe nxënës që u kujtoj shkrimin e bukur apo talentin për letërsinë.

6. A ju falënderojnë ende sot ish-nxënësit?

Krisanthi: Patjetër. Madje shumë prej tyre sot janë prindër dhe gjyshër. Më takojnë, më falënderojnë dhe shpesh shprehen nostalgjikë për cilësinë e arsimit dhe modelin e mësuesve që sot nuk e shohin më.

Marisola: Po, dhe është një ndjesi shumë e veçantë. Edhe etiketimi “zysh” që vazhdon të na shoqërojë dhe na bën të ndihemi mirë.

7. Cilat kanë qenë sfidat më të mëdha?

Krisanthi: Sfida më e madhe ka qenë kur shkolla “Kristaq Boshnjaku”, sot “Eftali Koçi”, u zgjodh për të eksperimentuar matematikën e re në klasat e para dhe të pesta. Rezultoi e suksesshme dhe funksionoi për një kohë të gjatë, derisa u miratua sistemi me libra të ndryshëm mësimorë. Për këtë u vlerësova edhe me dekoratë.

Marisola: Një sfidë e madhe për një mësuese letërsie është edukimi i leximit të librave artistikë, sepse fatkeqësisht libri është harruar.

8. Çfarë kërkon ky profesion përtej njohurive të lëndës që jep mësuesi?

Krisanthi: Është një profesion i bukur, por i vështirë. Kërkon shpirt, përkushtim dhe shumë dashuri, që nxënësit ta ndjejnë shkollën si një familje të dytë.

Marisola: Nuk është profesion që mësohet thjesht. Ai buron nga brenda dhe kërkon aftësinë për të krijuar lidhje shpirtërore dhe njerëzore me nxënësit.

9. Sot është më e vështirë apo më e lehtë të jesh mësuese?

Krisanthi: Është më e vështirë. Nuk më vjen mirë që mësuesi është kthyer në një figurë me të cilën abuzohet. Kjo sepse është shkëputur lidhja mes mësuesit, prindërve dhe shoqërisë.

Marisola: Më e vështirë, sepse është dobësuar zinxhiri i lidhjeve dhe përgjegjësisë në shoqëri. Mësuesi shpesh mbetet i pambrojtur.

10. Çfarë mesazhi do t’i jepnit vajzave që duan të bëhen mësuese?

Krisanthi: Ah, sikur të ishte vetëm një mesazh! Nëse do ta zgjidhnin profesionin vetëm për rrogën, do të ishte dhimbje. Ky profesion duhet dashur, duhet të të vijë nga brenda, sepse lidhja me fëmijët është e shenjtë.

Marisola: Mësuesia është mision, si profesioni i mjekut. Duhet të betohesh për nxënësit që të janë besuar.

11. Çfarë ndjesie ju sjell sot 7 Marsi, pas kaq shumë vitesh në arsim?

Krisanthi: Vazhdon të jetë festa e mësuesit, por ka humbur thjeshtësinë e dikurshme.

Marisola: Ka humbur pak nga sinqeriteti i dikurshëm, por nxënësit kur e duan mësuesen e tyre, e duan me zemër dhe është reciproke. Më kujtohet në këtë ditë dhe 7 Marsi i vitit 1991, dita e eksodit. Shkuam në shkollë për festën dhe nuk gjetëm nxënës. Rrugët ishin bosh, një qetësi e trishtë.

12. Çfarë do të thotë për ju të jesh një grua që ka edukuar breza të tërë?

Krisanthi: Krenari dhe respekt për veten që ia kam dalë. Kur shikon breza të tërë nxënësish, është një përjetim që nuk shpjegohet.

Marisola: Do të thotë të kesh zemër të madhe, durim dhe besim se ajo që mbjell sot do të japë fryte nesër.

13. Çfarë mendoni se e bën një mësues të mirë?

Krisanthi: Komunikimi njerëzor, besimi që përcjell, qetësia që fal, dashuria që jep dhe merr dhe vlerat që edukon.

Marisola: Përkushtimi dhe kuptimi i këtij misioni.

14. Nëse do të kishit edhe një orë mësimi me nxënësit tuaj, çfarë do t’u thonit?

Krisanthi: Bëhuni njerëz të mirë, sepse bota ka nevojë për mirësi.

Marisola: Do t’u thosha të zgjedhin rrugën e së drejtës dhe të së mirës.

15. Nëse do ta përmblidhnit jetën tuaj si mësuese me një fjali, cila do të ishte ajo?

Krisanthi: Përgjegjshmëri, përgjegjësi, profesionalizëm, humanizëm dhe vlera.profesionalizëm, humanizëm dhe vlera.

Marisola: Dashuri, respekt, krenari, edhe pak rini që ta dhurojnë nxënësit, si dhe dëshirë e vazhdueshme për të mësuar.

Vali QYRFYÇI 

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

“Vrasësi i heshtur”! Në Shqipëri 3500 persona marrin mjekim për Hepatit B, vaksina e eliminoi te fëmijët

Në Shqipëri, 3500 persona marrin mjekim për hepatitin B, i shkaktuar nga një virus që dëmton mëlçinë. Me...

Aksident në Korçë, makina përplas nënën me fëmijën në karrocë teksa kalonte rrugën

Një aksident është regjistruar mesditën e kësaj të marte në lagjen nr. 10 të qytetit të Korçës, në...

Skemë mashtrimi për t’iu vjedhur llogaritë në WhatsApp, Policia apel qytetarëve: Kujdes, mos klikoni linke të dyshimta

Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar ndaj tentativave për marrjen e aksesit në...

SPAK kontrolle në Bashkinë e Tiranës, hetuesit e BKH-së sekuestrojnë disa dokumente

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka zhvilluar mesditën e sotme kontrolle në ambientet...