Aventura e trajnerit të kombëtares kuqezi, Sylvinho, mund të arrijë fundin pas Kupës së Botës 2026, kur përfundon edhe kontrata e tij. Megjithatë, pavarësisht se çfarë do të ndodhë, tekniku brazilian është i bindur se eksperienca në Shqipëri do të mbetet ndër më të veçantat në jetën e tij.
Në një intervistë për emisionin brazilian “Bola Quadrada”, Sylvinho ka ndarë disa momente të pazakonta që ka përjetuar gjatë qëndrimit në vendin tonë, duke theksuar mikpritjen dhe bujarinë e shqiptarëve si diçka unike.
“Gjatë gjithë karrierës sime nuk kam hasur kurrë një trajtim të tillë. Edhe kur kam luajtur në klube të mëdha apo me kombëtaren e Brazilit, nuk kam parë diçka të ngjashme. Këtu njerëzit janë jashtëzakonisht bujarë, sidomos me të huajt, është pjesë e kulturës së tyre”, u shpreh ai.
Trajneri rrëfeu edhe episode konkrete që e kanë habitur: shpeshherë, ndërsa ka qenë në restorant me bashkëshorten, dikush i panjohur i ka paguar faturën ose i ka dërguar ushqime tradicionale pa u prezantuar. “Ka ndodhur disa herë. Edhe kur i them kamerierit se nuk kam porositur, më tregojnë se dikush nga një tavolinë tjetër e ka bërë këtë”, tregoi ai.
Sipas Sylvinhos, këto situata janë përsëritur jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera ku ka qenë me bashkëshorten, si në aeroportin e Frankfurtit, duke treguar se respekti ndaj tij si trajner i Shqipërisë ndihet kudo.
Në fund, ai theksoi se kjo përvojë e bën të ndihet më i motivuar dhe i përgjegjshëm për të dhënë maksimumin me ekipin: “Kur përfaqëson një komb, ndien një përgjegjësi të madhe. Bujaria e shqiptarëve është diçka e rrallë dhe të shtyn të bësh gjithçka për t’i shpërblyer në fushë”.
©️zërionline


