Në skenën e teatrit të Durrësit, disa emra flasin me fuqinë e roleve që kanë interpretuar, edhe kur vetë artisti flet pak për veten. Hysen Bashhysa është një prej tyre. Mbi 100 role, dhjetëra shfaqje dhe një jetë e tërë për teatrin. Një aktor i heshtur, por me gjurmë të pashlyeshme.
Nëse do ta pyesësh për veten, flet pak. Madje shumë pak. Por mjafton të përmendësh skenën dhe emri i tij nis të marrë jetë përmes dhjetëra personazheve që ka interpretuar. Hysen Bashhysa, apo Ceni siç e thërrasin të gjithë në Durrës, është nga ata aktorë që nuk kanë nevojë për shumë fjalë, sepse i kanë thënë të gjitha në skenë.

I lindur më 16 shtator 1947, rrugëtimi i tij drejt aktrimit nuk ishte i parashkruar. Nga një mekanik i ri dhe student i inxhinierisë mekanike, ai u ngjit në skenë pothuaj rastësisht, për t’u kthyer më pas në një nga figurat më të qëndrueshme të teatrit durrsak. Një letër e ardhur në vitin 1971 do t’i ndryshonte jetën përgjithmonë, duke e transferuar në teatrin “Aleksandër Moisiu”, aty ku do të ndërtonte identitetin e tij artistik.
Kur hyri për herë të parë në atë teatër, ai përballej me emra që i vlerësonte tej mase: Nikolin Xhoja, Vangjel Heba, Lutfi Hoxha, Spiro Urumi, Vera Urumi, Teodor Rupi dhe Todi Thanasi. Ishte brezi i tretë i aktorëve, në një trupë tashmë të konsoliduar, ku përkushtimi dhe disiplina ishin themel.
Sukseset nuk vonuan. Në vitin 1972, me rolin kryesor në dramën “Një shok i klasës sonë” të Kujtim Spahivoglit, nën regjinë e Vangjel Hebës, Bashhysa do të merrte një nga vlerësimet e para të rëndësishme në karrierë. Por ai nuk u ndal vetëm te teatri. Estrada u bë një tjetër hapësirë ku ai spikati, duke interpretuar poezi nga emra të mëdhenj si Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Fatos Arapi, Xhevahir Spahiu, Bardhyl Londo, por edhe autorë botërorë si Vladimir Mayakovsky dhe Robert Burns.
Një artist i pangopur me skenën, ai i shtoi repertorit të tij edhe filmin, duke marrë pjesë në rreth 15 produksione kinematografike, një përvojë që e pasuroi më tej si aktor. Megjithatë, teatri mbeti gjithmonë boshti i tij. “Strehë, shtëpi, shkollë”, kështu e përkufizon ai vetë.


Në një karrierë me mbi 100 role, Bashhysa nuk veçon dot asnjë. Për të, çdo personazh ka peshën dhe historinë e vet. Edhe sot, pas daljes në pension, ai vazhdon të mbetet i lidhur me skenën nga një ndjenjë që nuk zbehet: dashuria për teatrin, një profesion që ai e quan njëkohësisht të vështirë dhe fisnik.
Një nga dimensionet më të bukura të jetës së tij artistike është bashkëpunimi me vajzën, Ketin. Me humorin e tij të qetë, ai kujton sesi kolegët i kanë thënë njëherë të mos recitojë më, pasi vajza e kishte tejkaluar. Një moment që e përshkruan më mirë se çdo fjalë krenarinë e tij si prind dhe artist.

Hysen Bashhysa mbetet realist për kohën që jetojmë. Sipas tij, publiku i sotëm është më i distancuar dhe e ndjen menjëherë mungesën e përkushtimit në skenë. Një vëzhgim i thjeshtë, por i drejtpërdrejtë, si vetë ai. Dhe kur e pyet se si do të donte të kujtohej, përgjigjja është po aq e përmbajtur sa dhe e sinqertë. Sipas punës që ka bërë, pa lavdi të rreme.
Ceni mbetet një nga ata artistë që nuk kërkojnë vëmendje, por e meritojnë atë, sepse në fund të fundit, janë rolet e tij ato që flasin më fort se çdo intervistë.
Intervista me aktorin durrsak Hysen Bashhysa
1. Z. Bashhysa, si lindi rruga juaj drejt aktrimit dhe cili ishte momenti vendimtar që ju bëri t’i përkushtoheshit skenës?
Ishin vitet ’70, kur çdo ndërmarrje kishte grupet e veta artistike të teatrit dhe estradës dhe ishte detyrim të jepeshin shfaqje dy herë në vit. Unë punoja si mekanik në ndërmarrjen metalike dhe njëkohësisht studioja për inxhinieri mekanike. Në një nga këto shfaqje, “Të pamposhturit”, ku u vlerësuam me çmim të parë, ndodhi kthesa. Pak ditë më pas, erdhi një letër nga Komiteti i Partisë që më transferonte në teatrin “A. Moisiu”. Kështu nisi rrugëtimi im si aktor, në vitin 1971.
2. Ju i përkisni një brezi që ka ndërtuar identitetin e teatrit në Durrës. Si e kujtoni atë periudhë dhe çfarë mendoni se ka ndryshuar sot?
Unë i përkas brezit të tretë të aktorëve të teatrit dhe e gjeta trupën tashmë të formuar, me artistë të shquar dhe personalitete të forta. Ishte një periudhë me shumë përkushtim dhe disiplinë. Ndryshimin sot e shoh pikërisht te devotshmëria ndaj punës, jo vetëm në skenë, por në kuptimin e gjerë të përgatitjes dhe seriozitetit artistik.
3. Gjatë karrierës suaj, cili personazh ju ka lënë gjurmë më të thellë?
Çdo rol ka vlerën dhe peshën e vet. Kam interpretuar mbi 100 personazhe dhe nuk do të doja t’i ndaja. Secili prej tyre ka lënë diçka tek unë si artist dhe si njeri.
4. Edhe pas daljes në pension, ju keni mbetur aktiv në skenë. Çfarë ju mban ende të lidhur kaq fort me teatrin?
Dashuria për teatrin. Është një profesion i vështirë, por jashtëzakonisht fisnik. Kjo dashuri nuk shuhet me kohën.
5. Si është për ju bashkëpunimi artistik me vajzën tuaj, Ketin?
Është një bashkëpunim i veçantë, shumë i bukur. Në një rast, kur Keti po recitonte një poezi nga Kipling, kolegët e mi më thanë me humor: “Cen, mos dil më të recitosh!” (qesh). Keti është një artiste e lindur, e bërë për skenën dhe çdo herë më emocionon.
6. Si e shihni publikun e sotëm dhe marrëdhënien e tij me teatrin?
Mendoj se interesi i publikut ka rënë krahasuar me më parë. Publiku është i ndjeshëm dhe e kupton shumë mirë kur puna nuk bëhet me përkushtim të plotë, por thjesht për të kaluar radhën.
7. Si do të donit të kujtohej emri juaj në historinë e teatrit të Durrësit?
Do të doja të kujtohesha thjesht bazuar mbi punën që kam bërë, pa lavdi të rreme.
Vali QYRFYÇI
©️zërionline


