Pas më shumë se një shekulli, antropologu dhe fotografi zviceran Eugène Pittard “rikthehet” në Durrës përmes imazheve të rralla që dokumentuan Shqipërinë e viteve ’20. Ekspozita fotografike “Shqipëria 1921, Eugène Pittard”, pas suksesit në Shkodër, është ndalur në qytetin bregdetar, duke sjellë për publikun një udhëtim unik në kohë.
Në vitet 1921 dhe 1924, Eugène dhe bashkëshortja e tij Hélène Pittard përshkuan Shqipërinë nga veriu në jug, duke fiksuar në objektiv jetën e përditshme të shqiptarëve, qytetet, fshatrat, traditat dhe peizazhet e një vendi ende të paprekur nga modernizimi.

Kuratori i ekspozitës, Elton Koritari, u shpreh se sjellja e kësaj galerie në Durrës ishte një detyrim moral dhe historik, pasi pikërisht nga ky qytet Pittard nisi eksplorimin e tij në Shqipëri. Sipas tij, fotografitë janë një dëshmi e vyer e kushteve sociale dhe jetës së shqiptarëve të asaj kohe.
Ekspozita u realizua falë bashkëpunimit mes FotoKlub Durrës dhe Ambasadës së Zvicrës në Tiranë.
Ambasadorja zvicerane Ruth Huber e cilësoi Pittard-in si një humanist dhe mik të madh të Shqipërisë, duke vlerësuar kontributin e tij në dokumentimin e jetës shqiptare përmes fotografisë. Ndërkaq drejtuesi i FotoKlub Durrës, Palush Jorgji, theksoi rëndësinë që kjo ekspozitë ka për promovimin e qytetit dhe zhvillimin e kulturës fotografike në Durrës.

Edhe Mira Prodani, pedagoge dhe pjesë e FotoKlubit, nënvizoi se synimi i klubit është ruajtja e memories kolektive të qytetit dhe promovimi i trashëgimisë fotografike të Durrësit ndër dekada. Sipas saj, në planet e afërta është edhe një ekspozitë e dedikuar ekskluzivisht Durrësit të viteve 1900-1990.
Ekspozita ofron një panoramë të rrallë të Shqipërisë së fillimshekullit të kaluar, parë përmes syrit të një studiuesi të huaj që u magjeps nga vendi dhe njerëzit e tij. Për herë të parë, kjo trashëgimi fotografike prezantohet për publikun si në materiale të shtypura, ashtu edhe në format digjital, duke sjellë një urë të gjallë mes historisë shqiptare dhe asaj zvicerane..

©ZëriOnline


