Një 23-vjeçar i shpallur në kërkim për atentatin ndaj personazhit të njohur në TikTok, Fabion Kuçi, i njohur si “Gucci”, ka rënë në prangat e policisë pas një operacioni të zhvilluar në Tiranë. Në kuadër të operacionit të koduar “Akuza”, uniformat blu arrestuan Florian Brahajn, ndaj të cilit rëndon akuza për “Vrasje me paramendim”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim.

Ngjarja për të cilën akuzohet 23-vjeçari ndodhi më 15 dhjetor 2025, në lagjen nr. 9 të Durrësit. Sipas hetimeve, Brahaj, së bashku me tre persona të tjerë, u afruan me dy automjete pranë lokalit ku ndodhej Fabion Kuçi dhe hapën zjarr në drejtim të tij.
Nga të shtënat, i riu mbeti i plagosur lehtë, ndërsa atentati nuk pati pasoja fatale.
Policia bëri me dije se arrestimi i Brahajt u realizua falë koordinimit të specialistëve të Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës dhe shërbimeve të Komisariatit të Policisë Kamëz.
Sipas autoriteteve, Gjykata e Durrësit i kishte caktuar Florian Brahajt masën e sigurisë “Arrest në burg” në muajin mars 2026, pasi dyshohet se mori pjesë në atentatin me armë ndaj shtetasit F.Kuçit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme hetimore.
©ZëriOnline


