Vendosja e disa shiritave të sigurisë në mënyrë amatore përgjatë trotuarit pranë Gjykatës dhe Prokurorisë së Durrësit nuk mund të konsiderohet zgjidhje për një problem që rrezikon jetën e qytetarëve. Masa e marrë vjen pas incidentit të 20 majit, kur një pllakë u shkëput nga kati i pestë i fasadës së Gjykatës së Durrësit dhe ra në trotuar, në një nga zonat më të frekuentuara të qytetit.

Fatmirësisht nuk pati persona të lënduar, por ngjarja nxori edhe një herë në pah mungesën e standardeve të sigurisë teknike dhe neglizhencën në mirëmbajtjen e objekteve publike. Në vend të një ndërhyrjeje profesionale dhe të menjëhershme për eliminimin e rrezikut, qytetarët përballen me shirita paralajmërues të vendosur në mënyrë të improvizuar, mbi karrige të prishura, ndërsa fasada vazhdon të mbetet potencialisht e rrezikshme.
Ky nuk është një rast i izoluar. Prej vitesh, në Durrës përsëriten incidente me pjesë fasadash, suva apo pllaka që shkëputen nga godinat e amortizuara, sidomos në zona me qarkullim të lartë këmbësorësh dhe automjetesh. Çdo ditë qytetarët kalojnë nën ballkone, fasada dhe struktura të dëmtuara, pa asnjë garanci për sigurinë e tyre.
Problemi bëhet edhe më shqetësues kur bëhet fjalë për institucione shtetërore, të cilat duhet të jenë shembull i respektimit të standardeve të sigurisë. Nëse edhe godinat publike nuk kontrollohen dhe nuk mirëmbahen siç duhet, atëherë çfarë garancie kanë qytetarët për objektet e tjera në qytet?
Siguria teknike nuk mund të reduktohet në vendosjen e disa shiritave për të shmangur përgjegjësinë. Ajo kërkon inspektime periodike, ekspertiza profesionale, ndërhyrje të menjëhershme dhe mirëmbajtje të vazhdueshme të objekteve që paraqesin rrezik. Çdo vonesë apo neglizhencë mund të sjellë pasoja të rënda.
Rasti i godinës së drejtësisë duhet të shërbejë si alarm, për të nisur një kontroll të plotë të godinave problematike në qytet. Sepse herën tjetër mund të mos flasim vetëm për dëme materiale apo një incident të shmangur për fat, por për jetë njerëzish.
©ZëriOnline


