Gjykata Penale e Tiranës ka ndryshuar masat e sigurisë për shumicën e punonjësve të UBA Bank të përfshirë në hetimin për një skemë të dyshuar vjedhjeje nga llogaritë e klientëve.
Nga 11 masat e sigurisë të vendosura më herët, gjykata ka lënë në fuqi vetëm arrestin me burg për drejtorin e filialit, Albin Keta. Ndërkohë, për 10 personat e tjerë, përfshirë zëvendësdrejtorin dhe përgjegjësin operacional Gilbert Hoxha, është vendosur masa “detyrim paraqitje”.
Sipas hetimeve të Prokurorisë së Tiranës, deri në këtë fazë dyshohet se janë përvetësuar rreth 400 mijë euro nga llogaritë e dy klientëve të bankës, njëra në euro dhe tjetra në dollarë.
Hetimi nisi pas kallëzimit të një klienti, i cili denoncoi lëvizje të paautorizuara në tre llogaritë e tij bankare, nga ku mungonin rreth 5 milionë lekë. Më pas, procedimit penal iu bashkua edhe një kallëzim i bërë nga vetë filiali i bankës për një rast tjetër të ngjashëm.
Deri tani, hetuesit kanë identifikuar 12 persona të dyshuar për veprat penale të vjedhjes duke shpërdoruar detyrën, falsifikimit të dokumenteve dhe falsifikimit kompjuterik.
Sipas Prokurorisë, drejtori Albin Keta dhe zëvendësdrejtori Gilbert Hoxha dyshohet se kanë përvetësuar shuma të konsiderueshme monetare përmes mandateve të rreme të tërheqjes, ndërhyrjeve të paligjshme në sistemin bankar, konvertimeve valutore dhe ndryshimeve të paautorizuara në të dhënat e klientëve.
Më herët, gjashtë punonjës ishin lënë në masën “arrest në shtëpi”, ndërsa katër të tjerë me masën “pezullim i ushtrimit të detyrës”. Megjithatë, gjykata vendosi t’i zëvendësojë këto masa me “detyrim paraqitje”. Ndërkohë, për një punonjëse masa nuk është ekzekutuar ende, pasi ajo nuk është gjetur në adresën e deklaruar.
Prokuroria dyshon se punonjësit kanë bashkëpunuar me drejtuesit e filialit për të realizuar skemën e përvetësimit të parave nga llogaritë e klientëve, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rastit.
©ZëriOnline


