Dorëhiqet rektori i Universitetit të Shkodrës, Gjuraj: “Po cenohet autonomia universitare”

Date:

Share post:

Një zhvillim tronditës ka prekur sot Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër. Rektori Tonin Gjuraj ka paraqitur dorëheqjen e tij të parevokueshme, duke i dhënë fund mandatit në krye të institucionit mes akuzash për ndërhyrje në autonominë universitare dhe përplasje të vazhdueshme me Bordin e Administrimit.

Sipas burimeve, dorëheqja është depozituar pranë Ministrisë së Arsimit dhe vjen pas disa muajsh tensionesh lidhur me funksionimin e Bordit të Administrimit dhe vendimmarrjet e tij.

Në letrën drejtuar ministres së Arsimit, Gjuraj argumenton se mandati i tij buron nga vota e komunitetit universitar dhe se misioni i tij ka qenë transformimi institucional i universitetit, mbi bazën e transparencës, përgjegjshmërisë publike dhe respektimit të autonomisë akademike.

“Universiteti duhet të qëndrojë larg çdo ndikimi politik. Rektori nuk përfaqëson interesa politike, por shërben në funksion të komunitetit akademik dhe publikut”, shkruan ai.

Sipas Gjurajt, përpjekjet për reformimin dhe modernizimin e universitetit janë përballur me pengesa të vazhdueshme dhe ndërhyrje që, sipas tij, cenojnë pavarësinë institucionale. Në këtë kontekst, ai kundërshton disa prej vendimeve të Bordit të Administrimit, të cilat i konsideron të paligjshme dhe në kundërshtim me interesin e universitetit.

Mes kritikave kryesore, Gjuraj përmend emërimin e administratorit të universitetit, vendimin për shtyrjen e moshës së daljes në pension për anëtarët e Bordit të Administrimit, si dhe mënyrën e menaxhimit të procedurave të rekrutimit dhe pagesave për projekte të ndryshme.

Në një nga pasazhet më të forta të letrës, ai thekson:

“Rektori është i përkohshëm, Bordi i Administrimit i jashtëkohshëm, por Universiteti i Shkodrës ‘Luigj Gurakuqi’ është dhe mbetet i përhershëm.”

Rektori në largim shprehet se ka autoritetin moral dhe institucional për të kundërshtuar vendime që i konsideron të gabuara, por jo fuqinë për t’i ndalur ato.

“Ata kanë forcën, por jo autoritetin dhe të drejtën për t’u imponuar”, shkruan ai në letrën e dorëheqjes.
Gjuraj i kërkon Ministrisë së Arsimit të garantojë vijimësinë normale të funksionimit të universitetit pas largimit të tij, në përputhje me parashikimet e Ligjit për Arsimin e Lartë.

Dorëheqja e Tonin Gjurajt hap një kapitull të ri për Universitetin e Shkodrës, ndërsa mbetet për t’u parë se cili do të jetë qëndrimi i Ministrisë së Arsimit dhe si do të zgjidhen përplasjet institucionale që kanë shoqëruar drejtimin e universitetit gjatë muajve të fundit.

©ZëriOnline

spot_img

Artikuj të lidhur

Protesta e djeshme para Ministrisë së Arsimit, arrestohet 27-vjeçari dhe 49-vjeçarja

Dy protestues janë arrestuar nga Policia e Tiranës lidhur me tubimin e zhvilluar ditën e djeshme përpara Ministrisë...

Fushë-Prezë/35-vjeçari me makinë përplas për vdekje këmbësorin 58-vjeçar

Një aksident me pasojë vdekjen është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në Fushë-Prezë, Tiranë,...

Vrasja e biznesmenit në Sarandë, arrestohen në Greqi Lulzim Tabaku dhe Idriz Çelo

Dy persona të shpallur në kërkim për vrasjen e biznesmenit 66-vjeçar Rexhep Ismaili, ngjarje e ndodhur më 7...

Të shtëna me armë zjarri në Tiranë, plagoset 22-vjeçari; shpallet në kërkim autori

Një ngjarje e rëndë është regjistruar gjatë natës në Tiranë, ku një i ri ka mbetur i plagosur...