Qytetarë dhe efektivë të policisë, me pajisje minimale, po gërmojnë me duar në lagjet Los Palos Grandes dhe San Bernardino, ndërsa mijëra njerëz refuzojnë të kthehen në shtëpitë e tyre nga frika e pasgoditjeve.
Karakasi i ngjan një zone lufte. Gjatë natës njerëzit ndodheshin në rrugë, duke ecur me çanta, valixhe, qen, kafaze me zogj dhe mace, në kërkim të një vendi ku të kalonin natën. Tërmeti tronditi qytetin dhe frika për t’u kthyer në ndërtesat që kishin mbetur në këmbë i detyroi të largoheshin.
Dy tërmete, me magnitudë 7,2 dhe 7,5 ballë të shkallës Rihter, me vetëm 39 sekonda diferencë, goditën veriun e Venezuelës rreth orës 18:00 me orën lokale të së mërkurës (orët e para të së enjtes). Tërmeti preku veçanërisht kryeqytetin, Karakasin, por informacionet për ngjarjen mbetën të kufizuara dhe katër orë pas lëkundjeve kishte ende shumë pak të dhëna zyrtare.
Epiqendra u lokalizua në veriperëndim të komunës Montalban, në shtetin Carabobo, në një thellësi prej vetëm 13 kilometrash, çka e rriti intensitetin e lëkundjeve në sipërfaqe. Tërmeti u ndje nga Trujillo deri në La Guaira dhe arriti edhe në Karakas, rreth 300 kilometra larg. Ky konsiderohet të jetë tërmeti më i rëndë që ka goditur kryeqytetin që nga viti 1967, kur një tërmet me magnitudë 6,7 ballë la pas 236 të vdekur dhe rreth 2.000 të plagosur. Presidentja në detyrë, Delcy Rodríguez, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme.
Andres Escobar, një shofer taksie 60-vjeçar, sapo kishte lënë disa pasagjerë në një hotel në Karakas kur toka nisi të dridhej nën këmbët e tij. Makina e tij u shtyp në mes nga rrënojat.
“Gurët dhe copat e ndërtesës fluturonin kudo. Përplasja ishte e tmerrshme”, rrëfen ai, me duart e mavijosura.
Pak metra më tej, në Rrugën e Parë të lagjes Los Palos Grandes në Karakas, njëra nga kullat e kompleksit të banimit Petunia u shemb plotësisht. Shembja ndodhi pothuajse në të njëjtin vend ku, gati 60 vjet më parë, u rrëzuan ndërtesa të tjera gjatë tërmetit të vitit 1967. Në të gjithë zonën, shtëpitë u rrafshuan, ndërsa muret e rrëzuara lanë të ekspozuara dhomat e banimit.

Pranë rrënojave të ndërtesës Petunia, fqinjët dhe ekipet e shpëtimit, kryesisht policë pa pajisje të posaçme, përpiqen të nxjerrin personat e bllokuar. Ata kërkojnë litarë, elektrikë dore dhe ujë. Në vendngjarje nuk ka as edhe një shkallë. Në ndërtesat fqinje janë urdhëruar evakuime nga frika e shembjeve të tjera, ndërsa tubacionet e ujit, të dëmtuara nga tërmeti, e vështirësojnë largimin e banorëve.
Michael Alicastro, i cili banon në një nga këto ndërtesa, tashmë e çarë nga tërmeti, ndihmoi në nxjerrjen e pesë personave dhe një kafshe shtëpiake nga ndërtesa 14-katëshe që u shemb. “Ishim në rrugë dhe na u desh të mbaheshim pas makinave”, përshkruan ai.
Familjarët e banorëve thërrasin emrat e të afërmve nga buzët e rrënojave. “Antonio është gjallë!”, arrin të bërtasë një grua pasi komunikoi me një person të bllokuar nën rrënoja.
Disa fqinjë janë futur vetë mes rrënojave për të kërkuar njerëz të tjerë. Të paktën 20 pasgoditje janë ndjerë pas tërmetit kryesor. Qytetarët janë mobilizuar për të ndihmuar zjarrfikësit dhe ekipet e shpëtimit në operacionet e kërkim-shpëtimit.
Në San Bernardino, një tjetër lagje e Karakasit, një zinxhir njerëzor kalon kova me mbeturina ndërtimore në përpjekje për të larguar masën e betonit nën të cilën ndodhen të bllokuar banorët e ndërtesës Juvenal, një godinë gjashtëkatëshe në veri të Karakasit, e cila, ashtu si Los Palos Grandes, ndodhet në një nga zonat sizmike të kryeqytetit.
Tre orë pas tërmetit, në vendngjarje mbërriti një vinç për të zhvendosur pllakat më të rënda të një ndërtese të ndërtuar më shumë se 60 vjet më parë, në mënyrë që të niste operacioni për nxjerrjen e viktimave dhe të mbijetuarve.
Banorët ndriçonin malin e rrënojave me elektrikë dore, duke kërkuar njerëzit e tyre të dashur. Përreth tyre, familjarët prisnin dhe qanin. Një grua nuk arriti as të mbërrinte në shtëpinë e vajzës së saj; ajo u rrëzua në tokë pasi pësoi një krizë nervore kur mësoi se vajza kishte mbetur e bllokuar nën rrënoja.
“Stetoskop!”, dëgjohen të bërtasin ekipet e shpëtimit.
“Qetësi!”, vijnë thirrjet nga mes grumbujve të betonit që dikur formonin ndërtesën Juvenal.
Ekipet e shpëtimit janë vendosur në terren me barela. Deri në atë moment nuk kishin nxjerrë asnjë trup, por ka ende shenja jete.


