Senati amerikan ‘kufizon’ kompetencat e Trump

Date:

Share post:

Senati i Shteteve të Bashkuara, i kontrolluar nga republikanët, miratoi një masë që i kërkon presidentit Donald Trump të ndalojë luftën me Iranin ose të kërkojë miratimin e Kongresit përpara se të vazhdojë veprimet ushtarake.

Një numër i vogël senatorësh republikanë iu bashkuan demokratëve në votimin e së martës, ku masa u miratua me 50 vota pro dhe 48 kundër. E njëjta masë ishte miratuar më herët gjatë këtij muaji edhe nga Dhoma e Përfaqësuesve.

Megjithatë, rezoluta ka kryesisht karakter simbolik, sepse edhe pas miratimit nga të dyja dhomat e Kongresit, ajo nuk do t’i dërgohet Trumpit për shqyrtim dhe nuk ka fuqi ligjore detyruese.

Miratimi i saj vjen në një kohë kur republikanë në Senat kanë shprehur skepticizëm ndaj planit të paqes për të cilin Trump ka rënë dakord me Iranin, ndërsa konflikti, i cili nuk gëzon mbështetje të gjerë publike, po hyn në muajin e pestë.

Trump e kritikoi rezolutën të martën në mbrëmje, duke e quajtur atë “të keqkohëzuar dhe të pakuptimtë”.

“Pra, e kam Iranin në pozicion të vështirë, gati për t’u dorëzuar… dhe Senati i SHBA-së vendos të zhvillojë një votim të keqkohëzuar dhe të pakuptimtë për Aktin e Kompetencave të Luftës”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.

“Këta senatorë sapo ma kanë vështirësuar punën, por do ta përfundoj, në një mënyrë ose në një tjetër, sepse gjithmonë e përfundoj atë!”, vijoi ai.

Ky votim shënon herën e parë që të dyja dhomat e Kongresit miratojnë një rezolutë të përbashkët që i kërkon një presidenti të ndërpresë një veprim ushtarak, që nga miratimi i Rezolutës për Kompetencat e Luftës në vitin 1973.

Një rezolutë e tillë shpreh qëndrimin ose vullnetin e Kongresit, ndryshe nga format e tjera të legjislacionit që i dërgohen presidentit për t’u nënshkruar dhe për t’u bërë ligj. Në vitin 2019, Trump vendosi veton ndaj një rezolute të përbashkët që kërkonte tërheqjen e forcave amerikane nga luftimet në luftën civile të Jemenit.

Analistja e Lindjes së Mesme, Laura Blumenfeld, e përshkroi masën si “më shumë një qortim simbolik sesa një kufizim real”, pasi ajo nuk ka karakter detyrues ligjor.

Megjithatë, ajo i tha BBC-së se rezoluta “pasqyron ndjenjat e popullit amerikan”.

Miratimi i saj konsiderohet i rëndësishëm sepse shton presionin mbi Shtëpinë e Bardhë për të gjetur një rrugëdalje nga lufta me Iranin, e cila është bërë jopopullore pas rritjes së çmimeve të karburanteve.

E njëjta masë u miratua më herët gjatë muajit nga Dhoma e Përfaqësuesve, ku katër republikanë iu bashkuan të gjithë demokratëve për ta kaluar me 215 vota pro dhe 208 kundër.

Megjithatë, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë i tha BBC-së se, pas armëpushimit të arritur më 7 prill, nuk ka më luftime nga të cilat duhen tërhequr forcat amerikane.

Zyrtari shtoi se masa kaloi vetëm sepse dy senatorë republikanë munguan në votim: Mitch McConnell dhe Dave McCormick.

Katër senatorë republikanë votuan së bashku me demokratët në mbështetje të rezolutës: Rand Paul, Lisa Murkoëski, Susan Collins dhe Bill Cassidy.

Senatori demokrat John Fetterman ishte i vetmi anëtar i partisë së tij që votoi kundër.

Ky ishte sinjali më i fundit i përçarjeve brenda Partisë Republikane përpara zgjedhjeve të mesmandatit në nëntor, të cilat do të përcaktojnë nëse partia do të ruajë shumicat e saj të ngushta në të dyja dhomat e Kongresit.

Disa republikanë kanë kundërshtuar së fundmi presidentin, përfshirë refuzimin e planeve të tij për krijimin e një fondi prej 1.8 miliardë dollarësh kundër asaj që ai e quan “armatosje politike” dhe miratimin e ndihmës për Ukrainën.

Votimi i së martës ishte hera e dhjetë që demokratët në Senat detyrojnë zhvillimin e një votimi mbi kompetencat e luftës që nga fillimi i konfliktit.

Ai u zhvillua në të njëjtën ditë kur Pentagoni i kërkoi Kongresit rreth 80 miliardë dollarë, pjesa më e madhe e të cilave do të përdoret për financimin e luftës me Iranin.

Ligji federal kërkon miratimin e Kongresit për vazhdimin e operacioneve ushtarake për më shumë se 60 ditë. Sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit nisën më 28 shkurt, megjithëse administrata Trump argumenton se armëpushimi i prillit e ka rifilluar afatin.

Shtëpia e Bardhë mund ta zgjasë këtë afat edhe me 30 ditë të tjera, duke u mbështetur në argumente të sigurisë kombëtare.

Aktualisht, SHBA-ja dhe Irani kanë rënë dakord të vazhdojnë armëpushimin dhe po punojnë për t’i dhënë fund armiqësive në bazë të një memorandumi mirëkuptimi që presidentët e të dy vendeve nënshkruan javën e kaluar.

Sipas këtij memorandumi, Uashingtoni dhe Teherani kanë 60 ditë kohë për të negociuar një marrëveshje më të gjerë për përfundimin e programit bërthamor të Iranit.

spot_img

Artikuj të lidhur

Tragjedi në Kavajë/ Vëllai godet me thikë vëllain gjatë punës në arë, 74-vjeçari humb jetën rrugës për në spital

Një ngjarje e rëndë familjare ka tronditur mbrëmjen e së mërkurës fshatin Agonas të Kavajës, ku një konflikt...

Vrau 60-vjeçarin, i akuzuari: “Më provokoi me drita të gjata”. Gjykata e lë në qeli

Gjykata e Durrësit ka caktuar këtë të mërkurë masën e sigurisë "Arrest në burg" për 27-vjeçarin Meklajd Meçaj,...

51N4E fiton garën për Kampusin universitar të Durrësit: Një projekt guximtar për shekujt e ardhshëm

Pas një gare të fortë e me mjaft rivalitet midis pesë studiove prestigjioze të arkitekturës në botë, juria...

Dështon aksioni në Fushë-Krujë, Ylli Zalla i arratiset RENEA-s

Policia e Tiranës në bashkëpunim me RENEA-n kanë zhvilluar gjatë orëve të një operacion në fshatin Zallë të Fushë-Krujës...