Pallati Buckingham ka mohuar se Princi Harry do të qëndrojë në pallat gjatë vizitës së tij në Londër këtë javë, duke kundërshtuar deklaratën e mëparshme të ekipit të Dukës së Sussex, i cili kishte bërë të ditur se ai kishte pranuar një ftesë për t’u akomoduar në rezidencën mbretërore.
Sipas Pallatit Buckingham, oferta për akomodim nuk është më në fuqi, pasi afati për pranimin e saj kishte kaluar. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Princit Harry pretendojnë se oferta u tërhoq në momentin e fundit, pasi ai e kishte pranuar zyrtarisht dhe kishte bërë rregullimet e nevojshme për sigurinë e tij.
Ekipi i Dukës së Sussex shprehu zhgënjim për zhvillimin, duke deklaruar se Pallati ishte në dijeni të një vendimi të afërt gjyqësor që ndikonte në planet e udhëtimit dhe se mbetet e paqartë pse oferta u anulua pasi ishte pranuar.
Princi Harry pritet të vizitojë Britaninë për të promovuar Lojërat Invictus, që do të mbahen vitin e ardhshëm në Birmingham, si dhe për disa aktivitete bamirësie.
Raportohet se bashkëshortja e tij, Meghan Markle, dhe fëmijët e tyre, Archie dhe Lilibet, nuk do ta shoqërojnë në Londër, për shkak të mungesës së sigurisë së financuar nga shteti britanik. Megjithatë, nuk përjashtohet që ata të bashkohen me të në Birmingham gjatë eventeve të Invictus Games.
Nuk është e qartë nëse gjatë kësaj vizite do të ketë një takim mes Princit Harry dhe babait të tij, Mbretit Charles.
Vizita e tij përfshin gjithashtu aktivitete në një spital pediatrik në Birmingham dhe në Qendrën Kombëtare të Ekspozitave, e cila do të presë Lojërat Invictus për veteranët e plagosur ushtarakë.
Marrëdhëniet e tensionuara mes Princit Harry dhe institucioneve britanike lidhen me vendimin e tij në vitin 2020 për të hequr dorë nga detyrat mbretërore dhe për t’u shpërngulur në SHBA me familjen e tij, ndërsa çështjet e sigurisë mbeten ende një pikë mosmarrëveshjeje.
©ZëriOnline


