Me zërat e bel cantos që dominuan skenën finale dhe me interpretim të nivelit ndërkombëtar, Durrësi përjetoi kulmin e edicionit të dytë të festivalit DOA, i cili për disa ditë e shndërroi qytetin në një qendër të operës lirike.Për pesë ditë me radhë, masterclass-et dhe aktivitetet artistike mblodhën 22 solistë të rinj nga 11 shtete, në një projekt që synon të ndërtojë një traditë të qëndrueshme kulturore në Durrës.

Për arsye që nuk u bënë të ditura nga organizatorët, por thjesht u deklarua “për arsye burokratike” në këtë edicion nuk mundi të marrë pjesë artisti i ri nga Irani.
Në natën finale “Grand Opera Gala” u shpall edhe fituesi i këtij edicioni, baritoni i njohur Mahir Taghizade nga Azerbajxhani. Ai mban çmimin me emrin “Giuliano Ciannella”, ndërsa çmimet e tjera u ndanë mes talenteve nga Franca, Shqipëria dhe Ukraina.

Çmimi i dytë iu dha mezzo-sopranos franceze Seraphine Cotrez dhe sopranos shqiptare Blerta Zhegu, e cila mori gjithashtu Çmimin e Publikut dhe çmimin “Aleksandër Moisiu”.


Vendin e tretë e zuri baritoni Viktor Yankovskyi nga Ukraina.

Në këtë edicion morën pjesë figura të rëndësishme të botës së operës, mes tyre sopranoja Inva Mula, pianisti i njohur dhe pedagogu i shkollave prestigjoze evropiane, Richard Valentin Barker, dirigjenti Zhani Ciko, si edhe artistë dhe pedagogë të tjerë ndërkombëtarë.

Artistët e rinj sollën në koncert një repertor të njohur nga Giuseppe Verdi, Puçini, kompozitorët kryesorë të belcantos italiane, për t’iu përshtatur edhe shijes së publikut.
Themeluesi dhe drejtori artistik i festivalit, baritoni Gëzim Myshketa, e cilësoi DOA një projekt që synon të shkojë përtej formateve të zakonshme të një masterclass-I, që mbi të gjitha ofrohet falas dhe vlerësohet shumë nga artistët e rinj për këtë fakt dhe nivelin e lartë, jo vetëm pedagogjik, por dhe të pjesëmarrësve.

“DOA nuk synon të jetë vetëm një masterclass, por të ndërtojë një traditë të re kulturore për Durrësin. Niveli i pjesëmarrësve dhe i pedagogëve ka qenë shumë i lartë dhe kjo tregon se projekti ka një potencial të madh për t’u rritur në vitet në vijim.”
Për Myshketën angazhimi në Durrës dhe pse ka 28 vjet që jeton jashtë vendit vjen si një detyrim ndaj vendlindjes dhe atdheut.
“Ëndrra ime është që Durrësi të bëhet një pikë referimi për operën në rajon dhe që ky festival të kthehet në një ngjarje të përvitshme verore. Durrësi dhe qytetarët e tij e meritojnë këtë.”
Federicho Longhi, bariton me famë ndërkombëtare dhe pedagog i emrave të njohur në skenën botërore, në rolin e pedagogut të masterclass-it dhe të anëtarit të jurisë u shpreh:
“Është hera e parë në Shqipëri dhe zbulova një Durrës në zhvillim dhe plot jetë. Bota artistike sot ka nevojë dhe për anën humane dhe kemi punuar fort dhe në këtë drejtim, pra si nga ana teknike, ashtu dhe nga ana psikologjike, shpirtërore pasi artisti ka shumë nevojë dhe për këtë. Ndodh të të bllokohet zëri, duhet të dish ta menaxhosh e kapërcesh dhe këtë. Jam i befasuar nga niveli artistik i të rinjve.”
Edhe Richard Valentin Barker, pedagog dhe anëtar jurie, u shpreh para koncertit:
“Kam lindur në Angli, por jam formuar artistikisht dhe personalisht në Itali, ndaj ndjehem italian. DOA, një përvojë e bukur. Një nivel i lartë i studentëve që na bëri të punojmë me detajet që e përsosin artin e tyre dhe koncerti besoj do të jetë një sukses.”
Me pjesëmarrje nga 11 vende dhe një program intensiv formimi artistik, DOA vijon të pozicionohet si një nismë që synon ta kthejë Durrësin në një qendër të re të ekselencës operistike dhe shkëmbimit kulturor në Evropën Juglindore.
Vali Qyrfyçi
©ZëriOnline


