Shtatë ditë, shtatë poema dhe shtatë zëra të fuqishëm për të rrëfyer jo vetëm krijimin e botës, po mbi të gjitha ndryshimin e saj. “7 ditët e krijimit”, vepra e autorit Met Dervishi, u shfaq mbrëmjen e kaluar në Muzeun Arkeologjik të Durrësit, duke sjellë në vëmendje njeriun, ndryshimet e forta që pëson ai dhe botën ku jetojmë. Vepra bashkoi artistikisht atin me bijat e tij në një mbrëmje që ftoi për mendim e reflektim.

E ndërtuar mbi simbolikën e shtatë ditëve të krijimit, vepra nis nga zanafilla e botës dhe mëkati, për të ardhur deri te realiteti i sotëm, përmes zbulesave të autorit.
“Ky është një cikël poemash. Janë një mimetizim biblik i shtatë ditëve të krijimit, në tentativat moderne të inxhinierimit social. Teknika që kanë çuar drejt dehumanizimit të qenies njerëzore, drejt shpërbërjes së traditës, drejt shkatërrimit të kombeve, drejt krijimit të oligarkive që sundojnë rreth 90% të pasurisë botërore… dhe është kjo skllavëria moderne”, u shpreh për mediat shkrimtari Met Dervishi.
Aktorët Yllka Mujo, Luiza Xhuvani, Mimoza Marjanaku, Alesia Xhemalaj, Olta Daku, Neritan Licaj, Xhuliano Brisku dhe Igli Zarka i dhanë jetë poemave, ndërsa muzika e krijuar dhe e përzgjedhur nga Metila Dervishi dhe Kristi Bello plotësoi rrëfimin skenik, duke tërhequr vëmendjen e publikut.
Aktorja e mirënjohur Yllka Mujo u shpreh lidhur me veprën:
“E sjellim për herë të parë këtë autor. Është një kënaqësi me të vërtetë e veçantë për mua. Për sa i përket vlerave të jashtëzakonshme që ka kjo poemë, duhet dëgjuar me shumë vëmendje, sepse ka metafora dhe simbolika të fuqishme, që për ne artistët është me të vërtetë kënaqësi që të kemi mundësi të hyjmë në labirintet e trurit të një poeti kaq unik në llojin e vet, shumë natyrë komplekse.”
Mujo vlerësoi edhe përzgjedhjen e muzeut si skenë për shfaqjen.
“Është shumë interesante, sepse të paktën me ndriçimin dhe të gjithë objektet arkeologjike këtu, gjithçka bëhet shumë e veçantë. Mbrëmja poetike merr tjetër karakter, tjetër vlerë. Është një mbrëmje poetike jo e zakonshme.”

Zgjedhja e muzeut arkeologjik si hapësirë për shfaqjen i dha një tjetër dimension mbrëmjes. Përballë gjurmëve të qytetërimeve të lashta, vepra solli një reflektim mbi botën e sotme dhe ndryshimet që po përcaktojnë jetën e njeriut.

Regjia e Driada Dervishit i dha formë skenike tekstit poetik, duke bashkuar shtatë poemat dhe aktorët në një rrëfim të vetëm që mbajti mbërthyer publikun.
Para shfaqjes, regjisorja Driada Dervishi tha se të punonte me veprën e të atit ishte një emocion shumë i veçantë, por si në çdo vepër tjetër që vendos në skenë, fokusi i saj mbetet te ana profesionale dhe te përpjekja për ta sjellë veprën sa më mirë para publikut.
“Vazhdimisht regjisorët ‘sulmohen’, sepse nuk janë shumë të pranishëm me çfarë ndodh në letërsinë shqiptare dhe shpeshherë nëpër skena vendosin që të vënë suksese të mëdha botërore. Për mua ky muaj ka qenë shumë i bukur, nisi me një tekst të poetit Arian Leka dhe vijon me një tekst tjetër shumë të rëndësishëm. Në fakt janë shtatë poema, shtatë ditët e krijimit të autorit dhe shkrimtarit Met Dervishi. Në këtë rast unë jam përpjekur shumë që ta ndaj personalen nga regjisorja dhe kam qenë, besoj në proces, njësoj siç me të gjithë autorët që më kanë besuar veprat e tyre, duke u përpjekur që të gjithë atë që kam perceptuar nga këto 7 ditë krijimi, nga këto 7 poema, t’i flasin sigurisht të gjithë komunitetit, shoqërisë, por shkon dhe më tej. Këtu flitet për tema të rëndësishme universale, duke nisur me kapitalizmin, kaosin që ekziston sot në botë, ndryshimet që mendohen, priten, ndodhin, ndoshta nuk kuptohen… Njerëzit janë gjithmonë në kërkim se si do të jetë e nesërmja.”
Lidhur me konceptimin regjisorial, Dervishi tha:
“Në këtë konceptim, bashkëveprojnë 3 breza të ndryshëm dhe secili sjell një qasje ndryshe të të gjithë vargjeve dhe mënyrës se si është trajtuar e gjithë performanca.”

“7 ditët e krijimit” u mbyll në Durrës si një vepër që bashkoi poemën, teatrin dhe reflektimin mbi kohën ku jetojmë, duke vendosur në qendër njeriun dhe vlerat që rrezikojnë të mbeten pas në një turravrap drejt modernes dhe përfitimit personal.
V. Q.
©ZëriOnline


