Policia e Malit të Zi ka lokalizuar në zonën e Herceg Novit shtetasin rus Mihail Nikolaevič Šabunjin, 30 vjeç, i dyshuar për vrasjen e tre personave në një poligon qitjeje në Danilovgrad.
Autoritetet njoftuan mbrëmjen e së hënës se, bazuar në informacionet dhe provat e mbledhura deri tani, kanë arritur ta ngushtojnë zonën e lëvizjes së të dyshuarit në territorin e komunës së Herceg Novit.
Sipas policisë, të dhënat e deritanishme tregojnë se Šabunjin ka udhëtuar nga Podgorica drejt Herceg Novit me një taksi.
Në zonë janë dislokuar forca të shumta policore, përfshirë efektivë të Qendrës Rajonale të Sigurisë “Jug”, Njësisë së Posaçme të Policisë dhe Njësisë Speciale.
Në operacion është përfshirë edhe një helikopter i Ushtrisë së Malit të Zi, i cili po përdoret për transportimin e pjesëtarëve të njësisë speciale. Autoritetet po përdorin gjithashtu pajisje teknike për të përcaktuar vendndodhjen e saktë të 30-vjeçarit dhe për ta arrestuar.
Policia u ka bërë thirrje banorëve të Herceg Novit të tregojnë kujdes të veçantë dhe të raportojnë menjëherë çdo informacion të saktë që mund të ndihmojë në gjetjen e tij.
Šabunjin konsiderohet person i rrezikshëm. Drejtori i Policisë së Malit të Zi, Lazar Šćepanović, kishte deklaruar më herët se i dyshuari mori me vete armë zjarri dhe municion pas vrasjes së trefishtë.
Ai dyshohet se vrau me armë zjarri Petar Globarević, 24 vjeç, Momir Radonjić, 67 vjeç, dhe Nemanja Kapor, 20 vjeç, të tre punonjës të poligonit “Češka zbrojevka” në zonën e Danilovgradit.

Pas krimit, 30-vjeçari dyshohet se u largua me një Seat Cordoba të zezë, që i përkiste një prej viktimave. Makina u gjet më vonë e braktisur në Rogami, pranë Podgoricës.
Zbulimi i fundit tregon se i dyshuari ka arritur më pas të largohet nga zona e Podgoricës dhe të zhvendoset drejt bregdetit me taksi.
Operacioni tani është përqendruar në Herceg Novi, ku policia po përpiqet të përcaktojë vendndodhjen e saktë të Šabunjinit dhe ta arrestojë, ndërsa autoritetet vazhdojnë ta trajtojnë atë si një kërcënim aktiv për shkak të dyshimeve se është ende i armatosur.
©ZëriOnline


