Një dyqan në lagjen nr. 14 në Durrës është vënë nën hetim pasi dyshohet se aty tregtoheshin mallra kontrabandë, mes tyre cigare dhe fishekzjarre.
Policia e Durrësit njofton se ka finalizuar operacionin e koduar “Illegality”, pas informacioneve të siguruara përmes inteligjencës informative. Gjatë kontrollit në subjektin në pronësi të 46-vjeçarit me inicialet R. D., me banim në Tiranë, janë gjetur qindra paketa me cigare të llojeve të ndryshme, si dhe fishekzjarrë, të dyshuara si mallra të kontrabanduara.
Sipas policisë, gjatë kontrolleve janë evidentuar edhe të ardhura që dyshohet se ishin fshehur dhe nuk ishin deklaruar, të përfituara nga shitja e këtyre mallrave.
Në përfundim të operacionit, 46-vjeçari është arrestuar në flagrancë. Policia thotë se ndaj tij rëndojnë akuzat për kontrabandë të mallrave që i nënshtrohen akcizës, tregtim dhe ruajtje të mallrave kontrabandë, si dhe për fshehje të të ardhurave dhe mospagim taksash e tatimesh.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Durrësit, e cila do të vijojë hetimet për dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar.
©ZëriOnline


