Jasin Avdyli, i dënuar nga GJKKO është arrestuar në Belgjikë në kuadër të një tjetër faze të operacionit “The Wanted”, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.
Lokalizimi dhe kapja e 58 vjeçarit u realizuan pas bashkëpunimit mes specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve të tyre në Belgjikë, në kuadër të shkëmbimit të informacioneve për një hetim mbi trafikimin e lëndëve narkotike.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin e datës 4 prill 2023, kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”.
Nga hetimet e zhvilluara nga SPAK dyshohet se Avdyli ishte pjesë e një grupi që kishte organizuar trafikimin e sasive të mëdha të lëndëve narkotike dhe më pas shitjen e tyre në shtete të ndryshme. Mes akuzave ndaj tij ishte edhe aktiviteti i lidhur me një laborator për përpunimin e heroinës në Has.
Hetuesit kanë ngritur dyshime edhe për mënyrën se si janë përdorur të ardhurat e përfituara nga aktiviteti kriminal.
Sipas Policisë, SPAK dyshon se 58-vjeçari i ka investuar paratë e përfituara nga veprimtaria kriminale në dy pasuri të paluajtshme, konkretisht dy lokale në Shijak.
Arrestimi në Belgjikë nuk e mbyll procedurën ndaj tij. Interpol Tirana dhe autoritetet belge po vijojnë bashkëpunimin për përfundimin e procedurave ligjore që duhet të sjellin ekstradimin e Jasin Avdylit në Shqipëri.
“Kapet në Belgjikë dhe arrestohet me qëllim ekstradimin në Shqipëri, 1 shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i akuzuar nga GjKKO, si pjesëtar i një grupi kriminal që ka trafikuar dhe shitur sasi të mëdha të lëndëve narkotike, në disa shtete. Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve në Belgjikë, gjatë kësaj faze të operacionit ndërkombëtar të koduar “The wanted”, në bazë të informacioneve të shkëmbyera në kuadër të një hetimi mbi trafikimin e lëndëve narkotike, është bërë i mundur lokalizimi dhe kapja në Belgjikë, e shtetasit:
-J. K. alias J. A., 58 vjeç, banues në Shijak.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendim e datës 04.04.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grup i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Nga hetimet e kryera nga SPAK, dyshohet se 58-vjeçari ka qenë pjesë e një grupi që ka organizuar trafikimin e sasive të mëdha të lëndëve narkotike dhe më pas shitjen e saj, në shtete të ndryshme.
Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se të ardhurat e përfituara nga veprimtaria kriminale, ky shtetas i ka investuar në 2 pasuri të paluajtshme (lokale), në Shijak.
Vijon bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Belgjikë, për finalizimin e procedurave për ekstradimin e shtetasit të arrestuar, në Shqipëri”, njofton Policia.


