Dështimi i ekzekutimit në SHBA/ Dhoma e spitalit të Christa Pike nën mbikëqyrje të rreptë

Date:

Share post:

Dhoma e spitalit ku po trajtohet Christa Pike, e cila i mbijetoi një ekzekutimi të dështuar në shtetin e Tennessee, mbahet nën mbikëqyrje të rreptë, ndërsa avokati i saj paralajmëron se ajo mund të mos e marrë veten plotësisht.

50-vjeçarja u dënua me vdekje në vitin 1996 për torturimin dhe vrasjen e shoqes së saj të klasës, Colleen Slemmer, në vitin 1995. Ajo qëndroi rreth 30 vjet në burgun e të dënuarve me vdekje, përpara se ekzekutimi i saj të caktohej më 30 shtator.

Gjatë ekzekutimit, personeli mjekësor tentoi t’i administronte dy doza pentobarbital. Sipas dëshmive dhe dokumenteve gjyqësore, u përdorën të paktën shtatë gjilpëra dhe procedura zgjati rreth dy orë.

Pavarësisht dozave të injektuara, Pike nuk vdiq. Avokatët e saj thanë se gjatë procedurës ajo dëgjohej duke qarë, duke rënkuar dhe duke marrë frymë me vështirësi. Në momentin kur mediat u larguan nga dhoma e vëzhgimit, Pike raportohet se ende dëgjohej duke gërhitur.

Ajo u transportua pa ndjenja në spital, me krahët e ënjtur dhe me flluska në lëkurë. U intubua dhe u vendos në ventilator. Sipas avokatëve, ajo vazhdon të jetë pa ndjenja dhe nuk ka rifituar aftësinë për të komunikuar.

Avokati i saj, Stephen Ferrell, tha për CNN se dhoma e spitalit është e ruajtur nga roje dhe se ende nuk dihet nëse Pike do të rikuperohet.

“Nëse rikuperohet, mund të mos rikuperohet plotësisht”, deklaroi Ferrell.

Avokati tha gjithashtu se nuk është lejuar të hyjë në dhomën e spitalit dhe se mjekët ende nuk kanë një prognozë afatgjatë. Sipas tij, mund të duhen disa ditë për të kuptuar shkallën e dëmtimeve.

Dyshime për problemet me serumet

Avokatët e Pike pretendojnë se problemi mund të ketë ardhur nga vendosja e gabuar e linjave intravenoze, duke bërë që pentobarbitali të mos hynte siç duhet në qarkullimin e gjakut.

Sipas tyre, ekipi i ekzekutimit nuk e kuptoi në kohë se linjat intravenoze nuk ishin vendosur siç duhet ose se venat ishin dëmtuar dhe, në vend që të korrigjonte problemin, përdori një tjetër set shiringash me pentobarbital.

Ata kanë kërkuar që të ruhen të gjitha provat nga ekzekutimi për të përcaktuar përgjegjësinë dhe për të mbrojtur të drejtat ligjore të Pike.

Tennessee pezullon ekzekutimet

Guvernatori i Tennessee, Bill Lee, ka pezulluar ekzekutimet e tjera për pjesën e mbetur të vitit dhe ka urdhëruar një hetim të pavarur për të përcaktuar se çfarë ndodhi gjatë procedurës.

Ndërkohë, komisioneri i Departamentit të Korrigjimeve të Tennessee, Frank Strada, ka njoftuar dorëheqjen dhe do të largohet nga detyra më vonë këtë muaj. Ai tha se beson se departamenti veproi sipas protokollit, por se largimi i tij është në interes të qytetarëve ndërsa zhvillohet hetimi.

Nuk është bërë ende e ditur nëse autoritetet e Tennessee do të tentojnë sërish ekzekutimin e Pike. Avokati i saj i ka kërkuar guvernatorit që dënimi me vdekje t’i zëvendësohet me burgim të përjetshëm, duke argumentuar se ajo ka përjetuar vuajtje të rënda fizike dhe psikologjike gjatë procesit.

Pike kishte argumentuar edhe më herët në gjykatë se ekzekutimi mund të përbënte trajtim mizor dhe çnjerëzor për shkak të problemeve të saj shëndetësore dhe karakteristikave fizike, përfshirë venat e vogla.

spot_img

Artikuj të lidhur

Studentja e UAMD ngre shqetësimin për aksesueshmërinë në kampus dhe ceremoni

Adivije Hoxha*Studente dhe drejtuese e shoqatës së para dhe tetraplegjikëve Durrës Sot u inaugurua Fakulteti i Studimeve Profesionale në...

Parkimi me pagesë nis në Durrës, gjoba deri në 20 mijë lekë për mjetet e lëna prej kohësh në rrugë

Prej orës 08:00 të mëngjesit të sotëm, parkimi me pagesë ka nisur të zbatohet në rrugët dhe sheshet...

Anisa Ibraj: Studentët e Durrësit përballen me kosto të lartë jetese dhe mungesë konviktesh

Anëtarja e Këshillit Bashkiak të Durrësit (PL) Anisa Ibraj ka reaguar në rrjetet sociale për problematikat me të...

Manuela Arcuri dhe Princi Pallavicino po afrohen më shumë se kurrë

Aktorja e njohur dhe aristokrati gjenovez udhëtuan së bashku drejt Parisit me avion privat, shijuan mëngjesin në Ritz...