Administratori i kompanisë së mbetjeve në Elbasan, “ECO-ELB”, Leli Kaja, është arrestuar pasditen e sotme me urdhër të SPAK.
Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit e kanë vënë në pranga në lagjen “Fushë Mbret”, në kuadër të hetimeve që lidhen me menaxhimin e mbetjeve dhe pagesat e kryera nga bashkitë e qarkut për shërbimet e kompanisë.
Emri i Kajës ishte përfshirë më herët në hetimet mbi aktivitetin e “ECO-ELB”. Në korrik të vitit 2025, në kuadër të çështjes u kryen 14 kontrolle në banesat e personave të lidhur me hetimin, mes tyre edhe në banesën e administratorit të kompanisë.
Hetimi ishte regjistruar që në vitin 2024 dhe në qendër të tij janë vendosur marrëdhëniet institucionale dhe financiare ndërmjet “ECO-ELB” dhe tetë bashkive të qarkut të Elbasanit.
Për dosjen janë marrë në pyetje 43 persona, ndërsa hetimet janë shtrirë edhe te zyrtarë të pushtetit vendor, përfshirë zëvendëskryetarë bashkish, drejtues të strukturave juridike dhe drejtues të financave.
- ‘Zullumi këputet duke u trashur’/ Tenderi 660 milionë i drejtorit Leli Kaja që përsëritet prej katër vitesh në Landfillin e Elbasanit15 Qershor, 11:46
Një prej pikave kryesore të hetimit janë pagesat e kryera nga bashkitë për menaxhimin e mbetjeve. Bëhet fjalë për shërbime që përfshijnë depozitimin, trajtimin dhe procesin e djegies së tyre.
Hetuesit kanë ngritur dyshime për raste kur shërbimet e faturuara dhe të paguara mund të jenë kryer vetëm pjesërisht, për periudha më të kufizuara nga ato të parashikuara, apo të mos jenë realizuar, pavarësisht pagesave.
Përmasat financiare të çështjes dolën më qartë në qershor të vitit 2025, kur u raportua se ishin evidentuar 668 pagesa të kryera nga tetë bashkitë. Hetimi u përqendrua në verifikimin e secilës prej tyre dhe nëse shërbimet e përcaktuara në kontrata ishin realizuar realisht dhe sipas detyrimeve të marra përsipër.
Dosja është regjistruar për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Keqmenaxhimit të mbetjeve”. Arrestimi i Kajës përbën zhvillimin më të fundit në këtë hetim, ndërsa akuzat konkrete ndaj tij pritet të bëhen të qarta me zbardhjen e vendimit për masën e sigurisë.


