Arlind Isai, 32 vjeç u arrestua nga policia në Xhafzotaj të Shijakut, pasi gjatë kontrollit në banesë iu gjetën armë pa leje. Policia kishte informacion dhe përdori edhe dron për të lokalizuar banesën dhe për të gjetur momentin e duhur për ndërhyrje.
Dy armët u gjetën të fshehura poshtë dollapit në një dhomë të shtëpisë private, të mbuluara me çarçaf dhe me flamurin e Shqipërisë. Të dyshuarit iu sekuestruan 2 armët automatike, 2 krehra me nga 10 fishekë secili dhe 32.500 euro. Arlind Isai akuzohet për armëmbajtje pa leje.
“Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shijak, bazuar në inteligjencën policore se një shtetas mbante armë zjarri pa leje, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Baza”. Si rezultat i operacionit, në fshatin Koxhas-Kodër, Xhafzotaj, Shijak, u ushtrua kontroll në banesën e shtetasit A. I., 32 vjeç, banues në Shijak.
Gjatë ontrollit të banesës u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 2 armë zjarri automatike, 2 krehra me nga 10 fishekë secili, një shumë prej 32.500 eurosh”, njofton Policia.
32-vjeçari u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, ndërsa materialet iu referuan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.


