Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Eric Wendt, ka zhvilluar këtë të shtunë një takim në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), me drejtuesin e institucionit, Klodian Braho.
Mësohet se gjithashtu ai ka takuar dhe kreun e BKH-së, Joni Keta.
Diplomati amerikan është paraqitur në selinë e SPAK-ut i shoqëruar nga një delegacion me zyrtarë të tjerë të SHBA-së.
Ende nuk janë bërë publike detaje lidhur me qëllimin e vizitës apo çështjet që janë diskutuar gjatë takimit mes diplomatit amerikan dhe kreut të SPAK-ut.
Deri më tani, nuk ka një njoftim zyrtar nga palët mbi përmbajtjen e bisedimeve.
Kujtojmë se disa ditë më parë, ambasadori amerikan Eric Wendt zhvilloi një tjetër takim me drejtuesit e SPAK-ut, ku në fokus të diskutimeve ishin lufta kundër krimit transnacional, trafikut të narkotikëve dhe migracionit të paligjshëm.
Në një reagim në rrjetet sociale, Ambasada Amerikane në Tiranë bëri të ditur se këto çështje janë ndër prioritetet kryesore të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Gjatë takimit u diskutua gjithashtu për rëndësinë e institucioneve të pavarura në përballimin e këtyre sfidave, si dhe për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e sigurisë.
“Lufta kundër krimit transnacional, trafikut të narkotikëve dhe migracionit të paligjshëm është ndër përparësitë kryesore të Presidentit Donald Trump”, thuhej në njoftimin e Ambasadës Amerikane.
Përfaqësia diplomatike theksonte se partneriteti mes SHBA-së dhe institucioneve shqiptare synon forcimin e sigurisë dhe krijimin e një të ardhmeje më të sigurt e më të begatë për të dyja vendet.


