Dy punonjës të Policisë së Shtetit janë arrestuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), pasi dyshohet se i kanë marrë 20 mijë lekë një qytetari në këmbim të mosvendosjes së një gjobe për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Në pranga kanë përfunduar dy efektivë të Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit Nr. 4 në Tiranë, të identifikuar me inicialet Aurel Sallaku 20 vjeç, dhe Xhorxh Frrokaj 23 vjeç, të dy me gradën inspektor.
Sipas AMP-së, rasti është zbuluar pas denoncimit të një qytetari, i cili ka pretenduar se punonjësit e policisë i kishin kërkuar para për të mos e ndëshkuar për një shkelje rrugore.
Nga hetimet e kryera dyshohet se dy efektivët i kanë kërkuar dhe marrë shumën prej 20 mijë lekësh, duke shpërdoruar detyrën e tyre.
Arrestimi në flagrancë është kryer pas veprimeve hetimore të zhvilluara nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës. Dy policët akuzohen për veprat penale të korrupsionit pasiv dhe shpërdorimit të detyrës, të kryera në bashkëpunim.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe për të verifikuar nëse në këtë rast janë përfshirë edhe persona të tjerë.
©ZëriOnline


