Një shpërthim me eksploziv ka ndodhur paraditen e sotme në qendër të Tiranës, ku objektiv ka qenë automjeti i avokatit Idajet Beqiri.
Sipas njoftimit të Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:15, në rrugën “Nikolla Lena”, pranë Gjykatës Civile, ku një sasi lënde e dyshuar plasëse ka shpërthyer në një automjet tip “Mercedes-Benz”, të parkuar përpara një pallati.
Nga shpërthimi automjeti ka pësuar dëmtime të mëdha, kryesisht në pjesën e pasme, por nuk ka persona të lënduar.
Makina rezulton në pronësi të Nexhi Beqirit, bashkëshortes së Idajet Beqirit, e cila ushtron gjithashtu profesionin e avokates.
Në momentin e ngjarjes, Idajet Beqiri nuk ndodhej në Shqipëri. Ai ishte në Bruksel dhe kishte planifikuar të kthehej mbrëmjen e së hënës në Tiranë, por fluturimi i ishte anuluar.
“Rreth orës 09:15, në rrugën ‘Nikolla Lena’, para një pallati, ka shpërthyer një sasi lënde e dyshuar plasëse, e vendosur në automjetin e parkuar në pronësi të shtetases N. B. Si pasojë, janë shkaktuar vetëm dëme materiale”, njoftoi Policia.
Policia ka ngritur grupin hetimor dhe po punon për identifikimin e personave që vendosën eksplozivin. Hetuesit pritet të analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë në zonë, për të përcaktuar lëvizjet e autorëve përpara dhe pas shpërthimit.
©ZëriOnline


