Eslin Kurti, 12-vjeçarja nga Durrësi do të përfaqësojë Shqipërinë në një prej skenave më të rëndësishme muzikore për artistët e rinj në Evropë. Eslin Kurti do të ngjitet në skenën e Junior Eurovision Song Contest 2026 në Maltë, me këngën “Kërce me mua”, duke sjellë ritmin, energjinë dhe mesazhin e saj përmes muzikës.
Finalja e edicionit të 24-t të festivalit do të zhvillohet të shtunën, më 24 tetor, në Ta’ Qali të Maltës, ku do të konkurrojnë përfaqësuesit e 16 vendeve. Eslin do të përfaqësojë ngjyrat kuqezi, flamurin shqiptar në këtë garë ndërkombëtare.
Për këngëtaren e re nga Durrësi, kjo pjesëmarrje vjen pas një suksesi të rëndësishëm në skenën muzikore shqiptare. Eslin fitoi çmimin e parë në Festivalin e 64-t Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë, në Shkodër, me këngën “Kërce me mua”, duke siguruar kështu të drejtën për të përfaqësuar Shqipërinë në festivalin evropian.
Një këngë që fton të rinjtë të largohen nga ekranet
“Kërce me mua” nuk është thjesht një këngë ritmike, por përcjell edhe një mesazh për rëndësinë e komunikimit dhe të kohës së kaluar së bashku, përtej telefonave dhe pajisjeve elektronike. Përmes muzikës dhe vallëzimit, kënga i fton të rinjtë të shijojnë momentin, të dalin në natyrë dhe të përjetojnë gëzimin e të qenit pranë njëri-tjetrit.
Muzika e versionit që do të prezantohet në Junior Eurovision është realizuar nga Enis Mullaj, ndërsa tekstin e ka shkruar Eriona Rushiti. Videoklipi zyrtar i këngës u publikua më 28 shtator, duke i dhënë publikut mundësinë të njihet me përfaqësimin shqiptar përpara finales.
Eslin e ka nisur herët rrugëtimin e saj artistik. Krahas këngës, ajo studion piano dhe zhvillon formimin e saj muzikor përmes teorisë së muzikës, teknikës vokale dhe interpretimit skenik. Interesat e saj përfshijnë edhe kitarën, kërcimin, pikturën dhe volejbollin.
Në skenën e Maltës, këngëtarja durrsake do të performojë e 14-ta në radhën e konkurrimit, e shoqëruar nga tre balerinë dhe një këngëtare. Performanca do të jetë një tjetër mundësi për të prezantuar talentin e artistëve të rinj shqiptarë përpara publikut.
Shqipëria ka si rezultat më të mirë në historinë e saj në Junior Eurovision vendin e pestë, të arritur në vitin 2015 nga Mishela Rapo me këngën “Dambaje”. Një vit më parë, në edicionin e vitit 2025, Kroni Pula u rendit e gjashta me “Fruta Perime”.
Finalja do të transmetohet të shtunën në mbrëmje, duke nisur nga ora 21:00, në RTSH 1. Për Eslin Kurtin, Durrësin, Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë, kjo është një ditë e rëndësishme për të ndjekur përfaqësuesen tonë dhe një talent të ri që po hedh një hap të madh në rrugëtimin e saj.
Të shtunën, sytë dhe vëmendja do të jenë te skena e Maltës, ku Eslin Kurti do të këndojë në emër të Shqipërisë me shpresën që ritmi i “Kërce me mua” të fitojë zemrat e publikut.
Votoni Eslin!
©ZëriOnline


