Protesta/ Policia: Thirrje për dhunë dhe sulme ndaj uniformave blu

Date:

Share post:

Policia e Shtetit ka shtuar masat e sigurisë në kuadër të tubimit të paralajmëruar për ditën e sotme, pas thirrjeve të publikuara në rrjetet sociale për akte dhune dhe përplasje me efektivët.

Drejtues Albert Nushi, Shef i Sektorit të Drejtimit në Departamentin për Sigurinë Publike, në një deklaratë për median tha se në platformat online janë konstatuar thirrje për grumbullimin e personave të maskuar dhe të pajisur me lëndë piroteknike, bomba molotov, shkopinj, gurë dhe sende të tjera të forta.

Gjithashtu, Nushi bën me dije se janë evidentuar mesazhe që nxisin sulme ndaj punonjësve të Policisë, djegien e automjeteve të uniformave blu dhe dëmtimin e pronës publike e private. Për këto raste ka nisur procedimi penal, ndërsa strukturat e specializuara po punojnë për identifikimin e personave përgjegjës.

Autoritetet theksojnë se do të garantojnë të drejtën kushtetuese për tubim paqësor, ndërsa reagimi ndaj çdo akti dhune do të bëhet në përputhje me ligjin dhe parimin e proporcionalitetit.

Deklarata e Policisë:

Nisur nga thirrjet e vazhdueshme në rrjetet sociale dhe në grupet e hapura në platformat online për grumbullimin e personave të maskuar dhe të pajisur me lëndë piroteknike, bomba Molotov, sfera dhe vida metalike, shkopinj druri e metalikë, gurë dhe sende të tjera të forta, me qëllim ushtrimin e dhunës gjatë tubimit të paralajmëruar për ditën e sotme, Policia e Shtetit ka shtuar masat parandaluese dhe reaguese për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

Edhe gjatë ditës së djeshme dhe në orët e para të mëngjesit të sotëm, Policia e Shtetit ka konstatuar thirrje të shumta për sulme ndaj punonjësve të Policisë, shkatërrimin dhe djegien e automjeteve të Policisë, si dhe dëmtimin e pronës publike dhe private.

Në lidhje me këto thirrje, Policia e Shtetit ka nisur procedimin penal dhe strukturat e specializuara po kryejnë veprime hetimore për identifikimin e personave përgjegjës dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

Personat që synojnë ta shfrytëzojnë tubimin për të ushtruar dhunë, pavarësisht maskimit apo përpjekjeve për të fshehur identitetin, do të identifikohen dhe do të përballen me përgjegjësinë ligjore.

Pjesëmarrësit në tubim të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm dhe të mos bëhen pjesë e veprimeve të paligjshme.

U bëjmë thirrje prindërve të mos lejojnë që fëmijët e tyre të marrin pjesë në tubime apo të qëndrojnë në ambiente ku siguria e tyre mund të vihet në rrezik nga përplasjet dhe aktet e dhunshme të paralajmëruara në rrjetet sociale. Mbrojtja e fëmijëve nga situatat e rrezikshme është përgjegjësi e përbashkët.

Gazetarët dhe operatorët mediatikë që raportojnë nga terreni, të respektojnë perimetrat e sigurisë të përcaktuar nga Policia dhe udhëzimet e punonjësve të Policisë, për të shmangur rrezikimin e jetës dhe shëndetit të tyre. Vlerësojmë maksimalisht rëndësinë e informimit të publikut dhe të ushtrimit të lirë të veprimtarisë gazetareske, në respektim të masave të sigurisë.

Edhe një herë, apelojmë për qetësi, përgjegjshmëri dhe respektim të ligjit, në mënyrë që tubimi të zhvillohet paqësisht dhe pa cenuar sigurinë e askujt.

E drejta kushtetuese për t’u tubuar paqësisht do të respektohet dhe mbrohet, por nuk mund të përdoret si justifikim për dhunë, sulme ndaj punonjësve të Policisë apo shkatërrim të pronës.

Policia e Shtetit garanton qytetarët se shërbimet e Policisë në terren do të veprojnë në përputhje me ligjin, duke respektuar parimin e proporcionalitetit në reagimin ndaj çdo akti dhune dhe paligjshmërie.

©ZëriOnline

spot_img

Artikuj të lidhur

Zbulohen prapaskenat pse u rritën papritmas taksat, biznesi paralajmëron eksod në rajon

Situata politike që po kalon vendi pas protestave të studentëve vlerësohet faktori kryesor që ka detyruar qeverinë të...

Drejtësi për Ilaria Sulën, nëna pas vendimit: “Pusho në paqe, engjëlli im!”

Pas më shumë se një viti dhimbje, familja e 22-vjeçares shqiptare përjeton një moment lehtësimi pas vendimit të...

Zjarr i madh në dy restorante në Librazhd

Një zjarr ka përfshirë mbrëmjen e sotme dy restorante në qytetin e Librazhdit, duke vënë në lëvizje forcat...

Hakerat godasin sistemin online të Komisionit Federal të Zgjedhjeve në SHBA, ndërpritet shërbimi një javë para votimeve

Uebsajti i Komisionit Federal të Zgjedhjeve në SHBA (FEC) është vënë në shënjestër të hakerave, duke bërë që...