Nga Shqipëria në Kosovë, zbulohet rrjeti i mashtrimit me call center-a, 7 në pranga

Date:

Share post:

SPAK dhe Policia e Shtetit kanë qenë pjesë e operacionit ndërkombëtar kundër rrjetit kriminal, i cili dyshohet se mashtronte qytetarë në mbarë botën përmes platformave të rreme të investimeve në kriptomonedha, valuta të huaja dhe aksione.

Në kuadër të operacionit janë kontrolluar 17 ambiente në disa shtete, përfshirë një call center në Kosovë. Pesë kontrolle janë zhvilluar në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Ferizaj, me urdhër të Prokurorisë Speciale. Tre personat e arrestuar në Kosovë pritet të ekstradohen drejt Gjermanisë.

Zanafilla e hetimeve daton në vitin 2022, kur një çift gjerman denoncoi se kishte investuar kursimet përmes një platforme online, por më pas kishte konstatuar se nuk mund të tërhiqte fitimet e pretenduara. Kallëzimi çoi në zbulimin e një skeme ndërkombëtare mashtrimi, që kishte në shënjestër qytetarë nga dhjetëra vende të botës.

Sipas hetimeve, personat e përfshirë në skemë i joshin viktimat duke u premtuar fitime të mëdha brenda një kohe të shkurtër. Fillimisht, qytetarët bindeshin të investonin shuma të vogla, ndërsa në llogaritë e tyre online shfaqeshin fitime fiktive, duke krijuar përshtypjen se investimet ishin të suksesshme.

Më pas, operatorët e call center-ave, të cilët prezantoheshin si ndërmjetës financiarë, ushtronin presion psikologjik për t’i bindur viktimat të investonin shuma gjithnjë e më të mëdha. Kur këto të fundit kërkonin të tërhiqnin paratë, përballeshin me pengesa dhe justifikime të ndryshme, deri në ndërprerjen e plotë të komunikimit.

Operacioni i fundit është vazhdim i goditjeve të mëparshme të kryera gjatë viteve 2022 dhe 2025. Analizimi i provave të sekuestruara gjatë këtyre fazave i çoi hetuesit drejt identifikimit të personave të tjerë të dyshuar, përfshirë drejtues të qendrave telefonike.

Hetimet zbuluan gjithashtu një kompani me bazë në Qipro dhe Izrael, e cila dyshohet se ofronte shërbime për grupet kriminale kundrejt pagesës, duke u siguruar platforma dhe faqe interneti mashtruese për realizimin e skemave të investimeve fiktive.

Autoritetet kanë identifikuar klientë të dyshuar të kësaj kompanie në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilët dyshohet se administronin call center-a të përfshirë në mashtrime financiare.

Gjatë operacionit janë sekuestruar mbi 100 serverë, si dhe prova të tjera materiale dhe pasuri që dyshohet se lidhen me aktivitetin kriminal.

SPAK është pjesë e dy ekipeve të përbashkëta hetimore pranë Eurojust, njëri me Gjermaninë dhe Poloninë, ndërsa tjetri me Kosovën, në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar për zbardhjen e plotë të skemës së mashtrimit.

Njoftimi i plotë:

SPAK dhe Policia e Shtetit ishin pjesë e një operacioni të gjerë ndërkombëtar kundër një rrjeti kriminal të dyshuar për mashtrimin e qytetarëve në mbarë botën përmes platformave të rreme të investimeve online.

Rezultatet e operacionit të mbështetur nga Europol dhe Eurojust në disa vende të Europës:

• 7 persona të arrestuar.

• Mbi 100 serverë të sekuestruar.

• 17 ambiente të kontrolluara në disa shtete.

• Mbi 4 milionë euro dëme financiare të dyshuara.

Faza e fundit e operacionit vjen pas arrestimeve dhe kontrolleve të kryera në vitet 2022 dhe 2025, në kuadër të të njëjtit hetim ndërkombëtar.

Hetimet zbuluan edhe një kompani me bazë në Qipro dhe Izrael, e dyshuar se furnizonte grupet kriminale me platforma dhe faqe interneti mashtruese. Klientë të dyshuar të saj janë identifikuar edhe në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

Atyre u premtoheshin fitime të mëdha nga investimet në kriptomonedha, valuta të huaja dhe aksione. Viktimat joshnin fillimisht me fitime fiktive, ndërsa më pas ushtrohej presion psikologjik për t’i bindur të investonin gjithnjë e më shumë para.

SPAK është pjesë e dy ekipeve të përbashkëta hetimore pranë Eurojust, njëri me Gjermaninë dhe Poloninë dhe tjetri me Kosovën. 

spot_img

Artikuj të lidhur

Gurë me shkëlqim metalik dhe kristale në çanta, Dogana e Durrësit i bllokon në tragetin drejt Italisë

Kontrollet në Portin e Durrësit kanë çuar në zbulimin e një ngarkese me gurë mineralë dhe kristale të...

Ndërron jetë në spital avokati Saimir Vishaj

Ka ndërruar jetë në moshën 60-vjeçare avokati i njohur Saimir Vishaj. Avokati ka ndërruar jetë në ambientet e spitalit...

Aksident në aksin Pogradec-Lin, përplasen dy makina! 6 persona të plagosur

Një aksident me 6 të plagosur ka ndodhur pak më parë në aksin rrugor Pogradec-Lin, pranë fshatit Piskupat. Sipas...

Sarandë/Skifterja vodh­i makinën në parkimin e një hoteli, kapet pas 30 minutash

Një 31-vjeçare ka përfunduar në prangat e policisë në Sarandë, pasi dyshohet se vodhi një makinë nga parkimi...