Gjykata e Vlorës ka caktuar masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” për 35-vjeçarin Albano A., mësues i edukimit fizik në shkollën “Hajredin Beqari” në Selenicë, i akuzuar për ngacmim seksual ndaj disa nxënëseve të mitura.
Gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë, mbrojtja e mësuesit ka kundërshtuar akuzat, duke pretenduar se bëhet fjalë për një keqinterpretim të udhëzimeve të dhëna gjatë orës së mësimit.
Sipas deklarimeve të mëpasshme të vajzave në funksion të hetimit, mësuesi u kishte kërkuar, gjatë një aktiviteti në palestër, të mbanin gjoksin dhe shpatullat drejt dhe këmbët të bashkuara. Këto udhëzime janë interpretuar prej tyre si ngacmim seksual, ndërsa nuk ka pasur, të paktën të dëshmuara deri tani, komunikime private përmes telefonit, mesazhe apo takime individuale mes mësuesit dhe nxënëseve, por vetëm udhëzime të dhëna gjatë procesit mësimor.
Gjithsesi, pretendimet e palëve mbeten për t’u verifikuar. Hetimet pritet të hedhin dritë mbi rrethanat e ngjarjes dhe të përcaktojnë nëse ka pasur apo jo sjellje të papërshtatshme nga ana e mësuesit.


