Një atmosferë trishtimi dhe dhimbjeje ka mbuluar këtë sezon pushimesh edhe shkollën e Mesme të Bashkuar “Tafil Rexhepi” në Pirg, pas ndarjes nga jeta të nxënësit të saj, Eraldit. Lajmi i hidhur i vrasjes së tij një ditë më parë nga një bashkëmoshatar tronditi dhe stafin e komunitetin e shkollës ku ai mësonte. Me një mesazh prekës, ata kanë përshkruar dhembjen e thellë për humbjen e të miturit të dashur dhe të respektuar.
“Nuk humbëm vetëm një nxënës, por një djalë të mrekullueshëm, plot ëndrra, buzëqeshje dhe mirësjellje”, thuhet te mesazhi i shkollës. Eraldi kujtohet si shembull përkushtimi dhe dashurie për dijen, me një shpirt të pastër që i frymëzonte të gjithë.
Në këtë moment të vështirë, mësuesit dhe shokët e klasës e ndjejnë boshllëkun e madh që ka lënë pas.
“Banka ku uleshe do të mbetet bosh, por kujtimet tona do të jenë gjithmonë plot me dritën që ti fale”, thuhet më tej në mesazhin e ndjerë.
Shkolla i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes, duke u zotuar se kujtimi i Eraldit do të mbetet përjetësisht pjesë e komunitetit shkollor.
“Ti nuk u largove, por u bëre engjëlli më i bukur i Parajsës”, mbyllet mesazhi i shkollës.
Kjo humbje e parakohshme ka tronditur jo vetëm shkollën, por edhe të gjithë komunitetin e Pirgut e më gjerë, duke sjellë në kujtesë brishtësinë e jetës dhe vlerën e çdo çasti të kaluar me njerëzit që duam.
Qindra mesazhe ngushëllimi dhe reagimi kanë ndjekur këtë postim të ndjerë të shkollës.
©️zërionline


