Parashikimet meteorologjike u konfirmuan edhe në Durrës, ku pas një paraditeje me diell dhe temperatura tipike vere, moti ndryshoi papritur duke sjellë rrebesh shiu dhe erë të fortë.
I gjithë gjiri i Durrësit u përfshi nga moti i paqëndrueshëm, ndërsa në zonën e plazhit pushuesit u detyruan të largohen me shpejtësi. Çadrat e plazhit u mbyllën për shkak të reshjeve të dendura dhe stuhisë së momentit, duke i dhënë fund atmosferës së ditëve të nxehta të verës.
Fundgushti në Durrës erdhi kështu me një shije të parakohshme vjeshte, duke sjellë jo vetëm freski të menjëhershme, por edhe kujtesën se stina e verës po i lë vendin motit të ndryshueshëm tipik të shtatorit.
©️zërionline


