Për herë të parë një anije e flotës ushtarake amerikane me përmasa dhe kapacitete gjigante ka mbërritur në një port shqiptar. USS Mount Whitney, një prej anijeve më të mëdha komanduese të forcave detare të SHBA-së, është ankoruar në portin MBM të Porto Romanos, duke shënuar një moment kthese për kapacitetet strategjike të këtij porti dhe duke theksuar partneritetin gjithnjë e më të fortë mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.


E njohur si anija flamur e Flotës së 6-të të SHBA dhe e Forcave të Sulmit dhe Mbështetjes së NATO-s, USS Mount Whitney përfaqëson një kapacitet të rrallë komandues dhe teknologjik në nivel global.
Në bordin e kësaj anijeje simbol të fuqisë detare amerikane u zhvillua një pritje zyrtare me pjesëmarrjen e personaliteteve të larta nga pala amerikane dhe nga qeveria shqiptare. Mes të pranishmëve ishin Presidenti i Republikës Bajram Begaj, përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes, diplomatë amerikanë dhe zyrtarë të lartë ushtarakë të Flotës së 6-të.
Zyrtarët shqiptarë vlerësuan vizitën si një njohje të rëndësishme të rolit të Shqipërisë në rajon dhe si një dëshmi të avancimit të infrastrukturës portuale të vendit në përputhje me standardet e NATO-s.
USS Mount Whitney, një “Pentagon lundrues”
Oficeri i Sistemeve të Komunikimit dhe Informacionit, Jonathan DeSimone, e përshkroi misionin e anijes si një kombinim unik të fuqisë komanduese dhe diplomatike:
“USS Mount Whitney ndodhet këtu në Shqipëri për të forcuar marrëdhëniet tona me vendin tuaj. Si anije flamur, ne kemi kapacitetet e komandës, kontrollit dhe inteligjencës për të mbështetur Flotën e 6-të të SHBA-së dhe NATO-n nga bordi. E përmbledh shpesh si një Pentagon lundrues, sepse është qendra e vetme ku mund të komandohet njëkohësisht NATO dhe Flota e 6-të.

”DeSimone theksoi se Flota e 6-të është përgjegjëse për një zonë operacionale që shtrihet nga Poli i Veriut në atë të Jugut, përfshirë Europën dhe Afrikën, dhe se nga bordi i Mount Whitney, komandanti i Flotës 6, Nënadmiral Jeffrey T.Anderson, ka mundësinë të drejtojë operacionet në kohë reale.
Ndryshe nga shumica e anijeve luftarake, USS Mount Whitney nuk mbështetet në armë të rënda, por në komandë, komunikim dhe diplomaci.



“Nuk ka shumë sisteme armësh. Armatimi ynë janë sistemet e komandës, kontrollit dhe inteligjencës”, shpjegoi DeSimone.“Ka dy lloje fuqie: fuqia e ashpër, që janë bombat dhe raketat, dhe fuqia e butë, që është diplomacia dhe angazhimi me liderët. Pikërisht aty qëndron forca më e madhe e USS Mount Whitney.


”Për ushtarakët amerikanë, vizita në Shqipëri nuk është vetëm ushtarake, por edhe simbolike, si një shenjë e angazhimit të SHBA për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë.
Samantha Mendiguren, oficere për Marrëdhëniet me Publikun në bord, theksoi rëndësinë e Shqipërisë si partner strategjik i NATO-s:
“Vizita jonë këtu në Shqipëri tregon angazhimin e Marinës së SHBA për forcimin e sigurisë detare, si dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe në Detin Adriatik. Shqipëria është një aleat kyç i NATO-s dhe ne jemi të lumtur të vazhdojmë bashkëpunimin dhe koordinimin e fortë mes dy vendeve tona.
”Për shumë anëtarë të ekuipazhit, kjo është vizita e parë në vendin tonë. Për DeSimone, përvoja ka qenë mjaft pozitive:
“Kjo është hera ime e parë në Shqipëri. Absolutisht e mrekullueshme! Shpresoj që një ditë të kthehem bashkë me bashkëshorten time.”
Vizita e kësaj anijeje shënon rritjen e rolit të Shqipërisë si një partner i besuar në arkitekturën e sigurisë transatlantike dhe vërteton se Porto Romano dhe pse port privat është tashmë një port me kapacitete për të pritur flotën më të fuqishme detare në botë.
©️zërionline


