Edhe pse në shërbim prove si i dënuar nga gjykata për dhunë në familje, Land Derjaj dyshohet se vijonte të ushtronte dhunë ndaj bashkëshortes së tij, gjë që doli në pah pasi policia u vu në lëvizje për të zbardhur plagosjen e tij.
Gjykata e Durrësit caktoi masën e sigurisë “arrest në burg me afat 30 ditë” për vjehrrin që plagosi dhëndrin në qytetin e Kavajës, ndërsa ai ishte në shërbim prove, si i dënuar nga gjykata për dhunë në familje. Për të plagosurin, 46-vjeçarin Land Derjaj, baba i 3 fëmijëve, gjykata vendosi masën “arrest në burg” pa afat. Para gjyqtarit të seancës Rexhep Bekteshi u paraqit vetëm 64-vjeçari Petrit Derjaj, pasi dhëndri i tij ndodhet ende në spital pas plagosjes me thikë tri ditë më parë në shtëpinë e vet në Kavajë. Prokurorja e çështjes Riselda Fishta ndërtoi dinamikën e ngjarjes duke thënë se të dy të arrestuarit akuzohen për dhunë në familje. Sipas akuzës, Petriti ka goditur me thikë dhëndrin pasi ushtronte dhunë të vazhdueshme ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve të mitur, ndërsa Land Derjaj është dënuar më parë nga gjykata për dhunë dhe është në shërbim prove. Në seancë u deklarua se gruaja e të plagosurit ka dalë në verandë ku ka parë një lopatë për të cilën ka pyetur të shoqin dhe kaq ka mjaftuar që konflikti të rihapej dhe djali 8-vjeçar i çiftit të njoftonte gjyshin se i ati po rrihte të ëmën.

Një lopatë dhe shprehja e Land Derjaj, që mban mbiemrin e gruas pas martese, se me atë lopatë do t’i hapte gropën e saj e ka alarmuar gruan, por dhe të birin që ka kërkuar ndihmën e gjyshit i cili ka nxituar për në shtëpinë e vajzës.
“Ju të gjithë keni fëmijë, po kjo që më ka ra mu mos i raftë askujt. Ra në burg, ia falëm. Ai mori lopatën e armën. Shkova të sqarohem. Thikën e kisha në dum-dum se e kam mjet pune. M’u errën sytë dhe nuk mora vesh çfarë u bë. Do të mbaj dhe gocën me 3 fëmijë veç gruas së sëmurë”, u shpreh para gjyqtarit Bekteshi 64-vjeçari.
Land Derjaj (Puja) përpos akuzës për dhunë në familje akuzohet dhe për moskallëzim krimi pasi kur është paraqitur në spital për mjekim disa orë pas ngjarjes nuk i ka kallëzuar rrethanat e plagosjes dhe as autorin e saj.
Ai është përfaqësuar në seancë nga avokatja Anita Mici që saktësoi se klienti ndodhet në kirurgjinë e spitalit të Durrësit dhe kërkoi të mos caktohet masë sigurimi ndaj tij, pasi është viktimë e ngjarjes dhe jo autor i saj. Sipas Micit, klienti i saj nuk ka ushtruar dhunë fizike ndaj së shoqes dhe kjo nuk është faktuar deri në këtë fazë të hetimeve.
Duke iu referuar organit të akuzës dhe akteve të sjella prej saj, avokatja tha se “deklarata e gruas nuk dëshmon ushtrim dhune, ndërsa Land Derjaj, i plagosur rëndë, është dhe në shërbim prove për këtë vepër penale.
Ndërkohë avokati i Petrit Derjaj Nazmi Totraku, tha se masa e marrë ndaj tij është e rëndë dhe papërshtatshme për të, pasi është i sëmurë dhe kryefamiljar, ndërsa e shoqja është e sëmurë kronike. “Ai nuk paraqet rrezik për shoqërinë, largimin apo prishjen e provave.”
Pasi dëgjoi palët gjyqtari vleftësoi të ligjshëm arrestin e të dyve dhe caktoi masat përkatëse të sigurimit penal ndërsa hetimet vazhdojnë për të zbardhur plotësisht ngjarjen e rëndë që tronditi sërish familjen Derjaj në lagjen 3 të Kavajës.
@zërionline


