Një tjetër person i kërkuar nga drejtësia ndërkombëtare ka rënë në prangat e policisë shqiptare. Në Durrës, pas një operacioni të shpejtë dhe të mirëkoordinuar, u arrestua 46-vjeçarja Edisnarda (alias Edisnajda) Shapka, e dënuar nga Gjykata e Apelit e Bolonjës në Itali me 13 vite e 6 muaj burgim për trafikim të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.
Operacioni i koduar “Arachne” u zhvillua nga shërbimet operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Komisariatin e Durrësit, pas informacioneve të siguruara mbi vendndodhjen e të shumëkërkuarës. Shapka, me banim në Durrës, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pas vendimit penal të dhënë nga autoritetet italiane në vitin 2020.
Në vijim, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës vendosi masën e sigurisë “Arrest në burg”, në funksion të ekzekutimit të vendimit të Gjykatës italiane.
Ky është vetëm një nga operacionet e njëpasnjëshme të Policisë së Shtetit për të vënë përpara drejtësisë personat e shpallur në kërkim kombëtar e ndërkombëtar, duke theksuar edhe një herë bashkëpunimin e ngushtë mes autoriteteve shqiptare dhe atyre të huaja.
©️zërionline


