Pas dy ditësh pezullim të aktivitetit në nderim të gjyqtarit të ndjerë Astrit Kalaja, Gjykata e Durrësit vijon të mos zhvillojë seanca gjyqësore edhe këtë të enjte. Shkak është pjesëmarrja e gjyqtarëve në mbledhjen e organizuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) në Tiranë.
Në një njoftim zyrtar, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës bën të ditur se për shkak të kësaj mbledhjeje, që po zhvillohet sot më 9 tetor në ambientet e KLGJ-së, gjyqtarët e seksioneve civile dhe penale nuk do të zhvillojnë gjykimet e planifikuara për sot.
Megjithatë, institucioni thekson se seancat me karakter urgjent, si në fushën penale ashtu edhe civile, do të zhvillohen sipas planifikimit të parashikuar.
Ky zhvillim vjen menjëherë pas homazheve dhe ditëve të zie në sistemin gjyqësor, pas ngjarjes tragjike ku humbi jetën gjyqtari Astrit Kalaja.
Ndërkohë dhe nesër nuk do të ketë aktivitet pas vendimit të Dhomës Kombëtare të Avokatisë për bojkot dyditor, 9 dhe 10 tetor, të proceseve civile dhe penale.

©️zërionline


