Një ngjarje e dhunshme është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në lagjen nr. 15 të Durrësit, ku një konflikt për motive të dobëta ka degjeneruar në dhunë fizike.
Sipas informacioneve zyrtare nga Policia, rreth orës 08:30, shtetasi Katan Kaçaniku, 37 vjeç, dyshohet se ka goditur me sende të forta Ben Xhanin, 66 vjeç, dhe A. Xhanin, 61 vjeç, të cilët janë kushërinj me njëri-tjetrin.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës organizuan një operacion të shpejtë, duke bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të autorit të dyshuar.
Nga veprimet hetimore rezulton se 37-vjeçari ka qëlluar gjithashtu në ajër me një armë me fishekë manovër gjatë konfliktit. Arma është gjetur dhe sekuestruar si provë materiale.

Dy personat e lënduar janë transportuar në spital, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit, e cila po vijon hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
©️zërionline


