Një dëshmi prekëse ka ardhur nga bashkëshortja e Keli Hoxhës, 42-vjeçarit që humbi jetën tragjikisht në kalanë e Beratit, pas një konflikti me pronarin e një kali. Në një mesazh dërguar gazetarit Blendi Fevziu, Vjola Haxhia, gruaja e viktimës, ka treguar me detaje çastet dramatike që çuan në vrasjen e bashkëshortit të saj, ndërsa ndodheshin me pushime në Shqipëri.
“Unë jam Vjola Haxhia, bashkëshortja e Keli Hoxhës që u vra të martën në Berat nga i dyshuari Kristo Mema. Fillimisht dua t’ju falënderoj për mënyrën si e keni trajtuar çështjen tonë dhe kohën që i keni kushtuar. Ne jetojmë prej 14 vitesh në Britaninë e Madhe dhe kishim ardhur në Shqipëri për pushime. Një nga destinacionet tona ishte kalaja e Beratit, ku donim t’u tregonim fëmijëve tanë më shumë nga historia shqiptare”,- shkruan ajo.

Sipas rrëfimit të saj, tragjedia ndodhi papritur gjatë vizitës në qendër të kalasë. Vajza e tyre 8-vjeçare, Sevia, kishte parë një kalë të lidhur në një shtyllë dhe kishte kërkuar t’i afrohej për ta prekur. “Keli u afrua me vajzën ta preknin kalin nga gusha. Në atë moment u shfaq pronari i kalit, i cili filloi të bërtiste që mos ta preknin sepse acarohej. Burri im i tha se nuk ka arsye për t’u shqetësuar, pasi ai ishte rritur në fshat dhe dinte si të sillej me një kalë”, rrëfen Haxhia.
Por, situata degradoi shpejt. “Ai filloi të debatonte me bashkëshortin tim në një gjuhë shumë vulgare. Keli i tha se ishte në moshën e gjyshit të tij dhe nuk kishte ndërmend të merrej me të. Në ato momente ishte dorë për dore me vajzën tonë”, – vijon ajo.

Sipas dëshmisë, pas disa fjalëve, autori e kishte pështyrë tre herë dhe e kishte ofenduar rëndë.
“Keli u kthye për t’u sqaruar, por vetëm pas pak sekondash u kthye nga unë, më vuri dorën në bark dhe më tha: “Shpirt, njofto ambulancën se më vrau me thikë” dhe ra përtokë i mbuluar me gjak”, – përshkruan ajo momentin fatal.
Ngjarja ndodhi përpara dhjetëra turistëve që ndodheshin në zonë, të cilët, sipas saj, mund të dëshmojnë gjithçka. Ajo e ka quajtur të pavërtetë versionin e disa mediave, të cilat shkruan se konflikti kishte lindur për shkak të një pagese. “E kundërshtoj rreptësisht një lajm të tillë. Nuk ka pasur asnjë pagesë, as foto, as debat për para. U vra padrejtësisht, në sy të fëmijëve tanë”, – thekson Vjola Haxhia.
Në fund të mesazhit, ajo ngre një pyetje që prek zemrën: “Pse mediat dhe shteti nuk flasin për fëmijët e mi? Ata janë në shok, nuk flenë, nuk hanë, nuk flasin. Mund të ishte vrarë edhe vajza ime atë ditë.”
Ngjarja që ka tronditur opinionin publik vijon të hetohet nga policia dhe prokuroria, ndërsa familja Hoxha kërkon drejtësi për humbjen e njeriut të dashur dhe siguri që një tragjedi e tillë të mos përsëritet më.


