Jesmina Driza, 16 vjeç, e cila rezultonte e humbur, sipas familjarëve, prej tre ditësh së bashku me vajzën e saj 3-muajshe, është gjetur dhe është kthyer pranë familjes.
Largimin e të miturës e kishte denoncuar i ati, 40-vjeçari L. Driza, në Stacionin e Policisë së Manzës, pasi vajza ishte larguar nga banesa në fshatin Perlat, Sukth, ku jetonte me gjyshen. Në momentin e largimit, babai nuk ndodhej në shtëpi, ndërsa e ëma e Jesminës e kishte braktisur që kur ajo ishte e vogël.
Përveç denoncimit në polici, familjarët kërkuan ndihmën e qytetarëve përmes rrjeteve sociale, duke bërë apel për çdo informacion që mund t’i ndihmonte në gjetjen e saj dhe të foshnjës.
Pas verifikimeve dhe kërkimeve, e mitura dhe vajza e saj u lokalizuan dhe u kthyen të padëmtuara në shtëpi. Policia po vijon procedurat e mëtejshme për sqarimin e rrethanave të largimit.


