Një qen që kishte mbetur i izoluar në kallamishtet pranë urës së Mifolit që prej orëve të para të mëngjesit, është shpëtuar falë ndërhyrjes së Forcave të Armatosura.
Pas njoftimit të marrë nga banorë të zonës, efektivët u nisën drejt vendit ku ndodhej kafsha, e cila nuk mund të dilte vetë për shkak të terrenit të vështirë dhe rritjes së nivelit të ujit.
Me pajisje të posaçme dhe duke lëvizur me kujdes në zonën me kallamishte, efektivët arritën ta nxirrnin qenin në vend të sigurt. Fatmirësisht, ai ndodhet në gjendje të mirë.
Banorët e zonës vlerësuan gatishmërinë e Forcave të Armatosura për të ardhur në ndihmë edhe në situata të tilla të pazakonta.


