Një rrëshqitje masive e dheut dhe shkëmbinjsh është evidentuar në aksin rrugor Qukës-Qafë Plloçë në afërsi të tuneleve.
Për shkak të rrezikut dhe për të garantuar sigurinë e përdoruesve të rrugës, qarkullimi i automjeteve është devijuar në një korsi të re, e cila ishte hapur disa ditë më parë nga firma kontraktuese, pasi pritej që një situatë e tillë të ndodhte.
Nga ana e kompanisë ndërtuese është realizuar një bypass, i cili mundëson kalimin e mjeteve në të dy drejtimet, duke shmangur bllokimin total të qarkullimit në këtë segment problematik.

Shembje të tilla janë përsëritur disa herë në këtë aks, veçanërisht në lotin e tretë, ndërsa kjo konsiderohet shembja e dytë masive në këtë segment rrugor. Sipas specialistëve, situata ishte e parashikueshme, pasi terreni ku është ndërtuar rruga paraqet paqëndrueshmëri të theksuar.
Autoritetet dhe policia rrugore po monitorojnë situatën në terren dhe u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes gjatë qarkullimit në këtë zonë.


