Teatri “Aleksandër Moisiu” i Durrësit ngjiti në skenë mbrëmjen e kaluar premierën e dramës “Gruaja me sirtarë”, një vepër e fortë dhe krejtësisht njerëzore që godet pikërisht aty ku dhembja as nuk shihet, as nuk dëgjohet brenda mureve të shtëpisë. E vendosur në skenë në kuadër të 25 nëntorit, Ditës Botërore të Eliminimit të Dhunës ndaj Vajzave dhe Grave, shfaqja u prit me emocione të forta, me heshtjen e rëndë të një publiku që dukej se po përballej me një të vërtetë të njohur, por shpesh të pathënë dhe shpesh me duartrokitjet e tij për interpretimin dhe veprën në të gjithë elementët e saj.

Në qendër të dramës është Vesa, grua dhe bijë, e cila ka mbi supet e saj historinë e mijëra vajzave dhe grave që kanë jetuar në heshtje dhunën, abuzimin, fajësimin, frikën. Interpretimi i Mimoza Marjanakut është zemra e kësaj shfaqjeje. Një interpretim i fuqishëm, i brishtë dhe i ndjerë deri në dhembje.
“Është kryeroli i jetës sime”, u shpreh ajo para premierës për gazetarët dhe publiku në fund të shfaqjes e beson dhe e duartroket fort. Marjanaku e ndan personazhin në copa emocionesh, copëza kohësh të kthyera në trauma që të mbërthejnë e të përplasen në fytyrë duke klithur: “Më shiko. Jam dhe unë.”
Gruaja e dhunuar, nëna që dështoi “pa faj”, fëmija i brishtë që rritet në frikë, që abuzohet dhe viktima që teksa arrin fundin vendos të ngrihet, guxon të mos heshtë më. Ajo të përlot, por mbi të gjitha të nxit të mendosh dhe të reagosh, të angazhohesh.
Drama e Anisa Markarian është një homazh për gratë e padukshme, për historitë e mbajtura “në sirtarë”, për plagët që nuk shërohen pa u treguar. Markarian e ka ndërtuar Vesën mbi historitë reale të shumë grave, përfshirë dhe ato të pacienteve që ka trajtuar si mjeke urgjence në Francë, aty ku jeton e punon. Janë gra të djegura, të rrahura, të copëtuara nga dhuna e njerëzve më të afërt.
“Vesa nuk është vetëm një grua shqiptare. Ajo është shumë prej tyre, kudo në botë”, – thotë autorja.
Regjisorja Suela Bako e sjell këtë histori me një koncept të qartë: ajo nuk është vetëm dramë, por thirrje, art i angazhuar që ndërgjegjëson dhe edukon. Thirrje për të folur, për t’u çliruar, për të mos e trashëguar traumën, për ta thyer ciklin e dhunës.

“Abuzimi ka shumë forma. Nuk është vetëm dhuna fizike. Mund të jetë heshtja, kontrolli, frika, humbja e gëzimit, palumturia në një marrëdhënie”, – thotë regjisorja Bako, duke e kthyer shfaqjen në një akt emancipimi.
Në role episodike, aktori Romir Zalla në rolin e psikologut e të dhunuesit, si dhe Kiara Juba që vjen me fragmente këngësh dhe lëvizje që sjellin jetën, vazhdimësinë, i shtojnë shfaqjes dinamikë dhe intensitet emocional, duke u bërë pjesë e këtij universi të errët, por thellësisht njerëzor.

Skenografia dhe kostumografia e Alketa Tragajt krijojnë një hapësirë të zhveshur nga zbukurimet, ashtu si shpirti i një gruaje që më në fund flet. Çdo element, çdo detaj, duket se lëviz në funksion të dhembjes, frikës dhe çlirimit që vjen në fund.
Mesazhi i shfaqjes është i qartë dhe i fuqishëm. Dhuna ndaj vajzave dhe grave ndodh çdo ditë, në heshtje, në shtëpi, aty ku duhet të ketë siguri.
Thyerja e heshtjes është hapi i parë drejt shërimit, të vetes dhe të brezave që vijnë.
“Gruaja me sirtarë” nuk është thjesht një shfaqje, është një pasqyrë, një plagë, një thirrje. Një histori që nuk duhet të lihet më në sirtar.
Shfaqja vijon në sallën e QKF-së Durrës sonte, më 25 nëntor, si dhe në datat 3–4 dhjetor.
Vali Qyrfyçi
©️zërionline


