Autoriteti i Mediave Audiovizive ka gati draftin e ri të ndryshimeve ligjore të harmonizuara plotësisht me Aktin Europian për Lirinë e Medias (EMFA), duke vendosur në qendër mbrojtjen e pluralizmit, transparencën dhe pavarësinë editoriale. Ky ishte mesazhi kryesor i tryezës së radhës së Platformës së Dialogut për Median, një projekt i financuar nga Bashkimi Europian dhe Këshilli i Europës, i zbatuar nga ky i fundit në bashkëpunim me Fakultetin e Gazetarisë në Universiteti i Tiranës.
Në takim u diskutuan rekomandimet e dokumentit të prezantuar nga ekspertja Tanja Kersevan, “Përshtatja e Peizazhit Mediatik të Shqipërisë me Standardet Europiane: Reformat Ligjore dhe Institucionale mbi Përqendrimin, Transparencën, Rregullimin e Medias dhe Median e Shërbimit Publik”.
Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi, bëri me dije se shumica e detyrimeve të rekomanduara në dokument janë tashmë të përmbushura. Sipas saj, qasja e re ligjore shkon përtej dimensionit ekonomik dhe forcon standardet europiane për pluralizmin e medias, diversitetin e përmbajtjes dhe pavarësinë editoriale.
Në funksion të rritjes së transparencës, AMA ka krijuar dhe publikuar një databazë të aksesueshme për publikun, ku përfshihen pronarët direktë dhe indirektë të mediave audio dhe audiovizive, përfituesit fundorë si dhe subjektet e licencuara e të autorizuara në fushën audiovizive. Të dhënat bazohen në kryqëzimin e deklarimeve zyrtare në QKB dhe vetëdeklarimet e subjekteve, duke mundësuar identifikimin e kontrollit real mbi median.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm lidhet me matjen e shikueshmërisë. Komiteti i Përbashkët i Industrisë për Matjen e Shikueshmërisë (KPI) tashmë funksionon si entitet juridik i regjistruar, i njohur nga gjykata dhe i regjistruar në administratën tatimore, çka shënon kalimin nga faza konceptuale në një strukturë funksionale vetërregulluese, në përputhje me standardet europiane.
Sa i përket pavarësisë së rregullatorit, AMA theksoi se modeli i vetfinancimit dhe vendimmarrja e pavarur e Bordit garantojnë funksionimin e institucionit pa ndërhyrje. Sipas Krasniqit, fakti që vendimet merren me unanimitet dhe nuk ka pasur ankesa për më shumë se katër vite nga palët e interesit, e dëshmon këtë pavarësi.
Reformat e propozuara, u theksua në tryezë, nuk janë thjesht përmbushje formale e acquis-it europian, por një transformim strukturor i ekosistemit mediatik shqiptar, në funksion të interesit publik dhe procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Europian.


