Reshjet e dendura të shiut të rëna gjatë orëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje të shumta në qytetin e Durrësit dhe zonat përreth tij, duke e bërë situatën tejet problematike. Uji ka pushtuar jo vetëm rrugët, por edhe trotuaret, duke i bërë të pakalueshme shumë prej tyre.
Në disa zona të qytetit, uji ka depërtuar në hyrjet e pallateve dhe në ambientet e bizneseve buzë rrugës, duke shkaktuar dëme materiale. Si pasojë e situatës, shumë qytetarë kanë shmangur daljet nga banesat për në punë apo shkollë, ndërsa drejtuesit e institucioneve arsimore kanë dhënë udhëzime që nxënësit dhe mësuesit të mos lëvizin deri në përmirësimin e kushteve meteorologjike dhe tërheqjen e ujit nga rrugët. Njoftimet janë shpërndarë përmes grupeve të komunikimit zyrtar.
Situata paraqitet e rënduar në të gjithë territorin e qytetit, përfshirë edhe akset kryesore rrugore. Probleme serioze raportohen në autostradën Durrës-Tiranë e kthim, ku prania e lartë e ujit në disa segmente ka sjellë bllokim të qarkullimit dhe ka shkaktuar fikjen e disa automjeteve.
Ndërkohë, një familje nga zona e ish-Kënetës është evakuuar dhe është sistemuar përkohësisht në Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Brendshme në zonën e plazhit të Durrësit, pasi banesa e saj është përmbytur.
Prefekti i qarkut Durrës, Emiljan Jani, bëri me dije se, pavarësisht se hidrovoret janë në funksionim të plotë, situata mbetet e vështirë në disa zona problematike të qytetit. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes deri në normalizimin e situatës.
Sipas autoriteteve vendore, intensiteti i reshjeve të shiut ka qenë i paparashikuar, pasi parashikimet meteorologjike flisnin për reshje mesatare. Kjo ka vështirësuar menaxhimin në kohë të situatës.
©️zërionline


