Pas arratisjes së Altin Ndoci nga Spitali i Durrësit, autoritetet kanë ndërmarrë masa të menjëhershme sigurie, duke transferuar mbrëmjen e kaluar 33 të burgosur me rrezikshmëri të lartë, të dyshuar si pjesë e krimit të organizuar.
Të dënuarit dhe paraburgosurit u zhvendosën nga Burgu i Durrësit drejt Burgut të Fierit dhe Peqinit, nën masa të larta sigurie dhe me shoqërimin e forcave të shumta të Policisë së Shtetit.
Mes të transferuarve janë emra të njohur për drejtësinë, si Lulzim Berisha, Orges Molla dhe Juxhin Koka, të arrestuar gjatë operacioneve “Ura” dhe “Revansh”, si edhe tre shtetas të huaj, dy brazilianë dhe një venezuelian.
Pas ngjarjes së fundit, Burgu i Durrësit, i njohur edhe si “burgu i VIP-ave”, u vu në fokus për nivelin e sigurisë. Të gjithë të burgosurit u rivlerësuan sipas shkallës së rrezikshmërisë, ndërsa më problematikët u përzgjodhën për t’u sistemuar në institucionet me regjim më të fortë sigurie.
©️zërionline


