Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me rektorët e universiteteve publike dhe private, ku theksi u vu te cilësia e arsimit të lartë, kërkimi shkencor dhe roli i universiteteve në procesin e integrimit europian. Rama foli për investime të Bashkimit Europian, përshpejtim të akreditimeve dhe zhvillimin e kampuseve universitare në Tiranë dhe Durrës, duke e lidhur këtë të fundit edhe me lehtësimin e barrës së qirave për studentët përmes një lidhjeje të shpejtë hekurudhore.

Sipas Kryeministrit, kampusi i Durrësit mund të shërbejë edhe për studentët e Tiranës, duke krijuar kushte më efikase dhe më të përballueshme për strehimin e tyre. Ai theksoi se universitetet janë aleatë kyç të shtetit në rrugën drejt BE-së dhe se investimet në infrastrukturë dhe ndërkombëtarizim janë thelbësore për ta çuar arsimin e lartë “në një nivel tjetër”.
Por ky vizion u përplas menjëherë me kritika të forta nga Qëndresa Qytetare, e cila e cilësoi Konferencën e Rektorëve si një riciklim premtimesh të vjetra, pa lidhje me realitetin. Sipas saj, kampuset e premtuara prej vitesh nuk kanë nisur ende, ndërsa “ndërkombëtarizimi” mbetet një slogan, në një sistem ku vetëm 0.6% e studentëve janë të huaj dhe universitetet shqiptare nuk konkurrojnë realisht në tregun akademik ndërkombëtar.

Ideja e “kampusit në Durrës me tren” u konsiderua kulmi i absurditetit, në një kohë kur çmimet e qirave po rriten nga informaliteti dhe mungesa e politikave publike, duke e bërë jetesën studentore gjithnjë e më të papërballueshme. Kritikat shkuan më tej, duke nënvizuar se rikonceptimi i ligjit për arsimin e lartë nuk mund të jetë thjesht teknik, por duhet të nisë nga roli i universitetit në shoqëri, lidhja me tregun e punës, kërkimin shkencor dhe zhvillimin ekonomik.
Në sfond, sipas QQ, mbetet një realitet alarmant: hetime për tendera korruptivë, dhjetëra masa sigurie nga SPAK dhe masa disiplinore nga institucionet e kontrollit. Sipas kritikëve, ky është tregues i një sistemi të kapur, larg misionit të dijes dhe zhvillimit.
Mes premtimeve për kampuse dhe realitetit të krizës, debati mbi arsimin e lartë mbetet i hapur. Ajo që kërkohet, theksojnë zërat kritikë, nuk janë projekte imagjinare, por politika reale, financim i drejtë dhe një vizion që vendos studentin dhe universitetin në qendër të zhvillimit të vendit.
©️zërionline


