Arratisja e të dënuarit Altin Ndoci ka vënë në lëvizje zinxhirin e përgjegjësive dhe ka çuar drejt arrestimit të një prej figurave kyçe të Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Durrës. Pas hetimesh intensive, policia ka lokalizuar dhe vënë në pranga ish-drejtorin e IEVP Durrës, i dyshuar për shpërdorim detyre.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, bënë të mundur kapjen e shtetasit Indrit Cerloj, 48 vjeç, banues në Durrës, ish-drejtor i IEVP Durrës.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me vendimin nr. 19/1, datë 15.01.2026, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Me të njëjtin vendim, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” edhe për shtetasen Ylfete Sema, 66 vjeçe, banuese në Durrës, doktoreshë pranë IEVP Durrës, po për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme hetimore.
©️zërionline


