Qarkullimi i automjeteve në aksin rrugor Librazhd–Qafë Thanë, në vendin e quajtur Dragostunjë, ka rifilluar normalisht në të dyja kahet e lëvizjes, pas bllokimit të regjistruar më herët.
Sipas njoftimit zyrtar, rruga është tashmë e hapur dhe lëvizja e mjeteve po vijon pa probleme. Shërbimet e Policisë Rrugore, patrullat e përgjithshme dhe efektivët e njësisë “Shqiponjat” janë të pranishëm përgjatë gjithë gjatësisë së aksit, për të monitoruar situatën dhe për të garantuar mbarëvajtjen e qarkullimit.

Për shkak të fluksit të shtuar të automjeteve, Policia Rrugore e Elbasanit u bën apel drejtuesve të mjeteve që të tregojnë kujdes maksimal, të respektojnë radhën dhe të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, për të shmangur ngadalësimet apo bllokimet e mundshme.
Në rast nevoje ose për të denoncuar shkelje të rregullave të qarkullimit që ndikojnë në lëvizjen e lirë të automjeteve, qytetarët mund të telefonojnë në numrin emergjent 112 ose të kontaktojnë shërbimet e Policisë që ndodhen në terren.
©️zërionline


