Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka ndërhyrë në tregun e Milotit, ku ka bllokuar dhe konfiskuar një sasi mishi derri që tregtohej jashtë çdo standardi ligjor dhe sanitar.
Sipas njoftimit zyrtar të AKU-së, inspektorët bllokuan 75.8 kilogramë mish derri që rezultoi pa vulë identifikimi dhe pa faturë tatimore. Produkti po shitej në kushte të papërshtatshme për konsum, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi për sigurinë ushqimore.
AKU evidentoi se mungesa e dokumentacionit dhe e gjurmueshmërisë përbënte rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin e konsumatorëve. Për këtë arsye, inspektorët asgjësuan menjëherë sasinë e konfiskuar dhe vendosën masë administrative ndaj tregtarit përgjegjës.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit deklaron se po vijon kontrollet në bashkëpunim me institucionet ligjzbatuese, me fokus rastet e tregtimit të produkteve ushqimore jashtë standardeve dhe pa autorizim ligjor.
Njoftimi i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit:
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), në kuadër të informimit të publikut dhe rritjes së transparencës, informon opinionin publik mbi kontrollet e ushtruara dhe masat e marra në funksion të garantimit të sigurisë ushqimore.
Drejtoria Rajonale e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Lezhë (DRAKU Lezhë), më datë 08.02.2026, ka realizuar një kontroll zyrtar në Tregun e Milotit, bazuar në urdhrin e Drejtorit të Përgjithshëm “Për kryerjen e monitorimit të Tregut të Milotit”.
Gjatë monitorimit u konstatua një individ që tregtonte mish derri pa certifikatë veterinare, pa vulë identifikimi dhe pa faturë tatimore, si dhe në kushte të papërshtatshme për tregtim, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Në vijim të konstatimeve, u bë bllokimi i një sasie prej 75.8 kg mish derri, për të cilën u mor masa e asgjësimit në prani të autoriteteve kompetente, si dhe u aplikua masë administrative me gjobë ndaj subjektit përgjegjës.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit siguron konsumatorët se masat janë marrë menjëherë dhe me efikasitet maksimal, me qëllim parandalimin e çdo rreziku që mund të lindë nga tregtimi i produkteve ushqimore jashtë standardeve ligjore.
AKU mbetet në gatishmëri të plotë për garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorit, duke ftuar njëkohësisht për bashkëpunim të ngushtë institucionet e tjera ligjzbatuese, me qëllim vijimin e kontrolleve të rrepta në të gjitha rastet ku evidentohen parregullsi në tregtimin e ushqimit.
Me këtë rast, AKU u bën thirrje të gjithë qytetarëve të denoncojnë çdo rast ku cenohet siguria ushqimore dhe të drejtohen vetëm pranë subjekteve të licencuara dhe të autorizuara për shitjen e produkteve ushqimore. Siguria ushqimore është siguri kombëtare.


