Ish-princi Andrew është liruar nga policia britanike pas 12 orësh në paraburgim, pas arrestimit të mëngjesit në Sandringham. Vëllai i mbretit Charles III mbetet nën hetim me dyshimin se ka ndarë informacione të rezervuara me financierin amerikan Jeffrey Epstein, në kohën kur shërbente si i dërguar për tregtinë i qeverisë britanike.
Lajmi konsiderohet tronditës dhe i paprecedentë në historinë moderne britanike. Andrew Mountbatten-Windsor – siç quhet tashmë pasi i janë hequr titujt mbretërorë – u arrestua pikërisht në ditën e 66-vjetorit të lindjes së tij.
Gjashtë automjete policie mbërritën në banesën e tij të përkohshme, pasi ai ishte larguar nga rezidenca Royal Lodge me 30 dhoma në Windsor, ku kishte jetuar për 20 vjet. Ish-duka i York-ut u shoqërua në komisariat dhe qëndroi në paraburgim për disa orë.
Deklarata e mbretit
Mbreti Charles reagoi me një deklaratë zyrtare, duke theksuar se drejtësia duhet të ndjekë rrugën e saj:
“E kam mësuar me shqetësim të thellë lajmin për Andrew Mountbatten-Windsor dhe dyshimet për sjellje të papërshtatshme gjatë ushtrimit të një funksioni publik. Çështja do të ndiqet përmes një procesi të plotë, të drejtë dhe korrekt nga autoritetet kompetente. Ato kanë mbështetjen dhe bashkëpunimin tonë të plotë. Ligji duhet të bëjë rrugën e tij. Ndërsa procedura vazhdon, nuk është e përshtatshme të bëj komente të tjera. Familja ime dhe unë do të vazhdojmë detyrën tonë ndaj vendit.”
Edhe William, Prince of Wales dhe Catherine, Princess of Wales kanë shprehur mbështetje për deklaratën e mbretit. Më 9 shkurt, ata kishin reaguar publikisht për zbulimet nga dosjet Epstein, duke u shprehur “thellësisht të shqetësuar” dhe duke menduar për viktimat e rrjetit ndërkombëtar të shfrytëzimit seksual.
©️zërionline


