Gjykata e Durrësit caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për 33-vjeçarin që u arrestua javën e kaluar bashkë me dy 25-vjeçare, të cilat u lanë të lira, në masa më të buta shtrënguese. Andi Roshi, i akuzuar për shfrytëzim prostitucioni, dhe dy të rejat u arrestuan të premten pas operacionit policor që goditi një bazë prostitucioni të ngritur në lagjen 1 të Durrësit, pranë shëtitores bregdetare. Policia shpalli në kërkim për këtë veprimtari të paligjshme dhe vëllain e 33-vjeçarit, shtetasin Mario Roshi 30 vjeç dhe dy persona të tjerë, të gjithë banorë të Tiranës.
Katër vite më parë, në shtator 2020, vëllezërit Roshi u arrestuan nga policia në Tiranë pasi u dyshuan se kishin kthyer në vatra prostitucioni dy qendra masazhesh në të cilat ishin administratorë, ndërsa në qershor të këtij viti për këtë çështje prokuroria e Tiranës vendosi nën sekuestro pronat e dy vëllezërve dhe familjarëve të tyre, si produkte të veprës penale. Në shtator të vitit 2020, Mario dhe Andi Roshi, dy vëllezërit nga Tirana, u arrestuan nga Policia e Shtetit të akuzuar për kthimin në punonjëse seksi të disa vajzave dhe grave të punësuara brenda 2 qendrave të masazhit në kryeqytet. Nga hetimet rezultoi se vajzat minorene dhe gratë të reja të divorcuara, ose në nevojë për punë, ishin “preja” e preferuar e tyre. Ata i njihnin përmes rrjeteve sociale, më pas dilnin me to dhe u ofronin punë si masazhatore. Por me kalimin e kohës, për klientët besnikë të qendrës ato kryenin edhe “shërbime ekstra” kundrejt një shume të caktuar.
Paratë më pas ndaheshin përgjysmë, mes pronarëve dhe punonjëseve. Para këtij episodi dy vëllezërit nuk rezultonin më herët të skeduar nga Policia e Shtetit.
Pas kësaj, vëllezërit e kishin zhvendosur aktivitetin e tyre në Durrës. Pas 4 muajsh hetimi, policia nën drejtimin e prokurorisë së Durrësit organizoi operacionin “Rent”. E ndërsa për Roshin, gjyqtari Rexhep Bekteshi caktoi masën e sigurisë arrest në burg, për shtetasen F.Protoduari caktoi “arrest në shtëpi”, ndërsa për M.Doko u la detyrim paraqitjeje.
@zërionline


